Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta nënshkruan ditën e sotme marrëveshjen për zgjedhjet vendore.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ky është një moment historik për të gjithë shqiptarët duke shtuar se kjo marrëveshje është firmosur për t’i dhënë Tiranës një Parlament të fuqishëm.
“Përshëndes të gjithë shqiptarët që ndjekin këtë moment historik. Marrëveshje e sigurtë e opozitës në Tiranë dhe Shqipëri.
Për t’i dhënë Tiranës një parlament të fuqishëm të kryesuar nga politikanë të sprovuar në interesa të qytetarëve. Tirana do ketë parlamentin e vet të fuqishëm por, marrëveshja është historike. Nuk mund të lëmë pa thënë dy fjalë për Parlamentin inekzistent të Tiranës që drejtohet nga një zonjë që po të kishte një mbiemër të dytë do të quhej Romina Hije. Për të qytetarët nuk ekzistojnë. Ajo sikur është binjake me hijen. Merr fund kjo.
Metës i kam garantuar se PD do të mbështesë fuqimisht nismën referendare. Referendumi dhe demokracia direkte është dhe mbetet mjeti më kryesor për të shëruar e për të kthyer demokracinë në Shqipëri se është në agoni të plotë. Shpreh kënaqësi për arritjet e kësaj marrëveshje pasi do të shënojë fillimin e fundit të regjimit të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.