Begaj takohet me Ursula von der Leyen: Shqipëria është e vendosur për të vijuar me agjendën evropiane

Presidenti i Republikës Bajram Begaj është takuar gjatë pasdites së sotme me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen, ku temë e diskutimeve vendosmëria për zbatimin e ligjit, investimet në infrastrukturë dhe paketa e mbështetjes energjitike.

Begaj po ashtu thekson se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me agjendën evropiane dhe objektivi i saj për integrimin në BE është i pandryshueshëm.

Postimi i plotë:

Përkushtimi i Shqipërisë ndaj vlerave të Bashkimit Europian, vendosmëria për zbatimin e ligjit, investimet në infrastrukturë dhe paketa e mbështetjes energjitike ishin temat kryesore të takimit të sotëm me  Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen.

E konsideroj vizitën e Presidentes së KE-së në Shqipëri si një mesazh të fortë dhe inkurajues në këto momente kërcënimesh e sfidash për paqen dhe sigurinë, që kanë ndikim edhe në Ballkanin Perëndimor.

Investimet domethënëse në sektorët kyç të ekonomisë si infrastruktura dhe energjia garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë dhe rajonit duke ndihmuar në arritjen e standardeve për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Shqipëria është e vendosur për të vijuar me agjendën evropiane dhe objektivi i saj për integrimin në BE është i pandryshueshëm. Raporti i Progresit për Shqipërinë është një udhërrëfyes i paanshëm dhe i nxit të gjitha institucionet shqiptare të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Përshëndes vlerësimin e Komisionit Evropian dhe të zonjës Von der Leyen se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara per  liberalizimin e vizave për shtetasit e saj dhe e konsideroj realizimin sa më parë të këtij angazhimi nga ana e BE-së si një hap tjetër të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *