Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bulqizë, ku është duke zhvilluar një bashkëbisedim me fermerët në fshatin Shupenzë.
Rama tha se fermerët duhet të inkurajohen për të ndërtuar biznese të përbashkëta, çka do të përkthehej në më shumë fonde nga BE.
Sakaq theksoi se këto fonde nuk mund të jepen për fermerët, apo blegtorët që nuk kanë dokumentacionin e duhur.
“Ne kemi ndërtuar shumë pika grumbullimi. Ka nevojë akoma për më tepër. Duhet të shkojmë tani në një fazë tjetër për bletët. Ne duhet të ndërtojmë shoqëri të përbashkëta. Të ndërtojmë biznese të përbashkëta. Ti e prodhon mjaltin dhe biznesi tjetër është që ti e përpunon mjaltin. Inkurajoj të gjithë që të bëjnë këtë. Fondet e BE që ne marrim, kemi marrë më shumë fonde nga BE se sa vendet e rajonit. Me këto fonde nuk financojmë dot subjekte që kanë prodhim por nuk kanë letrat e pronësisë. Shpesh herë letrat e pronësisë në fshat bëhen shkaka që të mund të mos financohen pikat e grumbullimit. Ajo që ne duam të bëjmë është të nisemi nga fakti. Ka disa që kanë tokën, e kanë pa konflikt, por pa letra. Ajo zgjedhje që ne do ti japim kësaj tani është se nëse vjen dikush dhe thonë duam të bëjmë një x investim, ne do t’ja regjistrojmë atë copë toke që është për këtë aktivitet, me barrë që nëse shfaqet një x problem këtë problem do e ketë me shtetin jo personi. Kjo është mundësi teorike sepse këto toka janë toka që nuk kanë konflikte. E fundit që kam është nevoja për tu fokusuar te prodhimet që janë më shumë kërkesë në treg.
Nëse duam rezultat tjetër duhet të bëjmë gjë tjetër, sepse shikojmë në TV kur dikush hedh mollët, vezët apo qumështin dhe bërtet se shteti nuk është aty. Ata që hedhin mollët nuk duan të pranojnë që ai varietete nuk ka treg. E dyta është bashkimi , nëse nuk bashkohemi në shitje jem dobët, jo në prodhim. Në shitje të jemi të bashkuar. Si do negociosh me një trastë që del në rrugë për ta shitur?”, tha ai.