Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka quajtur shtyrje vendimin e sotshëm të qeverisë për targat. Ai ka thënë se në mbledhjen e sotme të qeverisë, u qartësua zbatimi i vendimit për targa.
Kurti nuk e ka adresuar ende një reagim të Departamentit amerikan të Shtetit, që u shpreh i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, pas kërkesave të vazhdueshme për shtyrje dhjetëmujore.
Kurti ka thënë se vendimi për targa do të ndahet në tre etapa dhe shkallë.
“Në mbledhjen e dytë të Qeverisë këtë javë, qartësuam zbatimin e vendimit për targa, që nis me 1 nëntor. I ndarë në tre etapa dhe shkallë, zbatimi fillimisht nisë me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor. Pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntor 2022 deri më 21 janar 2023. Nga 21 janari 2023 deri më 21 prill 2023 do të vendosen targat provuese për veturat me targa ilegale. Ndërkaq pas datës 21 prill të vitit 2023, nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri ka thënë se duke vepruar në këtë mënyrë është treguar vendosmëri për zbatimin e vendimeve dhe përkushtim e kontribut në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend.
“… e që ishte edhe brengë e partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Jemi të bindur se sundimi i rendit e ligjit dhe paqja e siguria shkojnë e mirëmbahen bashkë”, ka shkruar në fund ai.
Shtetet e Bashkuara thanë se së bashku me faktorin ndërkombëtar kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe t’i konvertojnë ato në targat RKS – Republika e Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë një gjë të tillë nga partnerët ndërkombëtarë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit.
SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova të shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj.
Ky reagim i SHBA-së vjen në ditën kur Qeveria e Kosovës miratoi një plan për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
SHBA-ja tha se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por shtoi se “zgjatja e afatit do të ishte në interes që të arrihej përparim në dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian”.
DASH po ashtu kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të punojnë në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, në qendër të cilës, sipas Uashingtonit, duhet të jetë njohja reciproke.