Mirditë/ Ruanin zonën me armë zjarri, arrestohen 5 persona, mes tyre kryepleqtë e fshatit

Policia e Mirditës në bashkëpunim me FNSH Shkodër ka shpërbërë dy grupe të cilët kultivonin lëndë narkotike në zonën e Mirditës dhe Lezhës. Sipas informacioneve policore bëhet me dije se janë arrestuar 5 persona si dhe kanë nisur hetimet për 5 të tjerë. Gjatë operacionit janë sekuestruar si prova materiale armë zjarri automatik dhe fidanë kanabis.

Personat e arrestuar janë Astrit Lepuri, 39 vjeç, banues në Kurbin dhe Elidon Voffi, 26 vjeç, banues në Lezhë. Ndërsa janë vënë nën hetim Nikoll  Kola, me detyrë kryetar i fshatit Xhuxhë dhe shtetasi Shkurt Marku, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Fan, Mirditë.

Ndërkohë në Lezhë, policia ka bërë të mundur arrestimin e Nikolin Krepi, 32 vjeç, Arjon Marku, 31 vjeç dhe Gjon Krepi, 38 vjeç, banues në Lezhë, ndërsa ka nisur hetimet për Pashk Lleshi, me detyrë kryetar i fshatit Pshqesh , Gjovalin Laska, me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Orosh, Bardhok Ndreca me detyrë Administratori i Njësisë Administrative Orosh, Mirditë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi policisë:

Shërbimet e Policisë, kontrolle të shtuara në territor, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve janë goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, nga shërbimet e Policisë Mirditë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër. Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, procedohen penalisht dhe 5 të tjerë. Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe fidanë kanabis.

-Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit A. L., 39 vjeç, banues në Kurbin dhe E. V., 26 vjeç, banues në Lezhë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa, në fshatin Xhuxhë, Mirditë.

Gjithashtu për këtë rast janë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi N. K., me detyrë kryetar i fshatit Xhuxhë dhe shtetasi Sh. M., me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Fan, Mirditë.

-Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë u arrestuan në flagrancë shtetasit: N. K., 32 vjeç, A. M., 31 vjeç dhe Gj. K., 38 vjeç, banues në Lezhë.

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë duke kultivuar fidanë narkotike të mbjellë në kubikë, në fshatin Gziq, Njësia Administrative Orosh, Mirditë.

Njëkohësisht, janë proceduar penalisht për vepren penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit: P.Ll., me detyrë kryetar i fshatit Pshqesh, Gj.L.,me detyrë specialist për pyjet në Njësinë Administrative Orosh, B.N., me detyrë Administratori i Njësisë Administrative Orosh, Mirditë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një ambient që këta shtetas e kishin përshtatur për strehim u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Shpërdorimi i detyrës.”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *