Ilir Meta i është drejtuar kutive të votimit, për të zgjedhur emrat e Komitetit Drejtues Kombëtar të partisë dhe kreut të kësaj force politike.
Pritet që sot Meta të konfirmohet si kryetar i Partisë së Lirisë, duke qenë se është kandidati i vetëm në garë për lider të PL.
“Ishte kënaqësi, një votim modern dhe jo aq i thjeshtë për të zgjedhur. Besoj se përmes këtyre zgjedhjeve po hedhim hap të rëndësishëm për të formësuar lidershipin e ri të PL për një Shqipëri që i përket të rinjve”, deklaroi Meta pas votimit.
Kujtojmë se sot mbahet Konventa e parë e Partisë së Lirisë që nga reformimi i saj nga Lëvizja Socialiste për Integrim.