Publikohen rezultatet e votimeve/ Ilir Meta konfirmohet kryetar i Partisë së Lirisë

Komisioni i Zgjedhjeve në Partinë e Lirisë ka konfirmuar Ilir Metën si kryetar i PL i cili ishte në garë me veten e tij.

Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PL, Silva Caka, deklaroi se në votim kanë marrë pjesë 722 delegatë, nga të cilët 719 votuan pro Metës dhe 3 delegatë votuan kundër.

Gjithashtu Partia e Lirisë zgjodhi dhe strukturat drejtuese të partisë.

“Votimet për Kryetarin e Partisë së Lirisë dhe anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar, u hapën në orën 12:55 dhe u mbyllën në orën 18:15. Votimet u kryen në përputhje të plotë me normat e Statutit dhe me vendimet e Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë. Gjatë procesit të votimit nuk u konstatua asnjë parregullsi dhe procesi u mbyll pasi votoi edhe delegati më i fundit. Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë ka përfunduar edhe verifikimin e respektimit të barazisë gjinore dhe përfaqësimit të të rinjve, sipas proporcioneve të parashikuara në Statut.
Në votim kanë marrë pjesë 722 delegatë.
Në votimin për Kryetarin e Partisë së Lirisë, morën pjesë 722 delegatë, nga të cilët 719 votuan pro kandidatit për Kryetar të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Metaj dhe 3 delegatë votuan kundër.
Nga rezultati, Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë së Lirisë, shpall fitues për postin e Kryetarit të Partisë, Z. Ilir Metaj.

Në votimin për anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, morën pjesë 722 delegatë dhe pas verifikimit dhe llogaritjes së rezultateve, në përputhje me vendimin e Konventës, u zgjodhën 236 anëtarë të Komitetit Drejtues Kombëtar, numër të cilit i shtohen edhe 5 anëtarë, të cilët janë pa votim (ex-officio), ku përfshihen 4 deputetët e Partisë së Lirisë dhe Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim”, u shpreh ajo.

Në Konventën e parë Kombëtare e cila ka nisur punimet rreth orës 11:00, është kryer votimi për kryetarin e partisë, ndërkohë që kujtojmë se i regjistruar ka qenë vetëm Ilir Meta.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *