Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar lajmet se 5 deri në 7 punonjës Policie të nivelit zbatues largohen çdo ditë nga strukturat.
Me anë të një njoftimi për mediat, Uniformat blu gjithashtu e cilësojnë si të pavërtetë lajmin se në muajt e fundit janë larguar 600 efektivë policie.
Më tej, Forct blu sqarojnë se “Policia e Shtetit, ndjek një politikë rinovimi të moshës së punonjësve të policisë dhe në këtë kuadër vit pas viti në Akademinë e Sigurisë, kryejnë Kolegjin e Policisë 250 kursantë të cilët pas kryerjes së teorisë dhe praktikës në terren, emërohen në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në të gjithë vendin”.
Njoftimi i policisë:
Sqarim i Policisë së Shtetit
Mbi lajmin e bërë publik në një nga televizionet kombëtare ku pretendohet se nga radhët e Policisë së Shtetit, kërkojnë të largohen çdo ditë 5 deri në 7 punonjës Policie të nivelit zbatues dhe se numri i punonjësve të Policisë së Shtetit është reduktuar për këtë shkak, sqarojmë opinonin publik se:
Nuk është aspak e vërtetë që gjatë muajve te fundit janë larguar 600 punonjës policie.
Policia e Shtetit, ndjek një politikë rinovimi të moshës së punonjësve të policisë dhe në këtë kuadër vit pas viti në Akademinë e Sigurisë, kryejnë Kolegjin e Policisë 250 kursantë të cilët pas kryerjes së teorisë dhe praktikës në terren, emërohen në strukturën e Patrullës së Përgjithshme në të gjithë vendin.
Me vendimin e fundit të qeverisë i cili ka hyrë në fuqi më 1 Tetor 2022, punonjësve të Policisë të nivelit bazë iu është rritur paga me 15%, ku të gjithë punonjësit e nivelit zbatues, efektet financiare i kanë përfituar menjëherë.
Kërkojmë mirëkuptimin e medias, që para se të publikojë lajme që i përkasin punës së Policisë së Shtetit të kërkojë të dhëna zyrtare pranë strukturave përkatëse në Policinë e Shtetit, me qëllim informimin e saktë të opinionit publik.
Gjithashtu sqarojmë opinonin publik se orët shtesë dhe dietat paguhen rregullisht sipas afateve që parashikon ligji dhe puna e Policisë së Shtetit matet dhe bazohet në statistika të cilat janë ligjore dhe aspak fiktive.
Sigurojmë qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar paligjshmëritë, krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti dhe në këtë kuadër, fton sërisht ata që të mbështesin akoma më shumë Policinë e cila punon e sakrifikon përditë për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për qytetarët.