Drejtori i Kadastrës, Artan Lame njofton se procesi i digjitalizimit në Lushnje ka përfunduar totalisht, ku këtë të dielë arkivit të dokumenteve i është vënë kyçi.
Lame tha se në këtë bashki janë 1,5 mln dokumente të skanuara në 122 Zona Kadastrale, ku thekson se çdo ndryshim më i vogël lë gjurmë në sistem duke mos lënë hapësirë për probleme në lidhje me pronat.
Sakaq shtoi se ky proces rrit saktësinë e informacionit të marrë, rrit shpejtësinë e dhënies së shërbimit dhe mbi të gjitha rrit sigurinë e pronës për qytetarin.
“Me krijimin e Qendrës së Kadastrës Digjitale, procesi i digjitalizimit përfundoi për Bashkinë Lushnje. Ky proces nënkupton skanimin e të gjithë referencave të të gjithë pronave në këtë qytet, administrimin e tyre në server digjital me qëllim ruajtjen dhe transparencën e informacionit. U bë në të njëjtën kohë skanimi i Kartelave fizike në volumet Kadastrale, ku këto kartela dhe dokumentacioni teknikoligjor i skanuar ju nënshtruan procesit të Digjitalizimit. Kartelat e digjitalizuar janë importuar ne sistemin multifunksional, në të cilën pasqyrohet, jo vetëm veprimi i fundit aktiv i pronës por i gjithë historiku i saj. Volumi i punës që nënkupton ky proces është vërtet impresionant. Mjafton të themi që vetëm për Lushnjen u përpunuan:122 Zona Kadastrale 710 Volume, 92.000 referenca pasurish, 163.000 kartela pasurie të digjitalizuar, 1,5 milion dokumente të skanuara. Qytetarët nuk do kenë më përballë Kadastrën, por do kenë një sistem i cili në arkivat e veta digjitale i ka të gjitha transparente, dhe me një klik do të kesh shkresën e pronës në telefonin tuaj”, tha ai.