Dhunë sërish në futbollin shqiptar, teksa ndeshja mes Delvinës dhe Elbasanit, e vlefshme për kategorinë e dytë, u ndërpre në minutën e 60-të.
Arbitri kryesor Xhulio Agolli është goditur në kokë nga tifozët dhe më pas ka marrë ndihmën e nevojshme shëndetësore.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin T. P., 50 vjeç, banues në Delvinë. Kujtojmë që takimi u luajt në stadiumin “Panajot Pano”.
Njoftimi:
Delvinë/Hodhi sende të forta në fushë duke dëmtuar arbitrin kryesor të ndeshjes së futbollit, arrestohet në flagrancë 50-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë arrestuan në flagrancë shtetasin T. P., 50 vjeç, banues në Delvinë.
Gjatë ndeshjes së futbollit të kategorisë së dytë, ndërmjet skuadrave të Delvinës dhe Elbasanit, të zhvilluar ditën e sotme, në stadiumin “Panajot Pano”, Delvinë, 50-vjeçari nga lartësia e një pallati afër stadiumit, ka hedhur sende të forta (gurë), në fushë duke dëmtuar arbitrin e ndeshjes, shtetasin Xh. A., i cili pasi ka marrë ndihmë mjekësore në spital është larguar në banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Goditja e sportistit, trajnerit, ndërmjetësit sportiv” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitet sportive”.