Është shtyrë ndeshja miqësore e futbollit ndërmjet ekipeve kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës dhe Rusisë, e cila ishte dashur të luhej më 19 nëntor, njoftoi Federata e Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës.
Shoqata bën me dije se në seancën e Bordit Ekzekutiv, të mbajtur më 31 tetor, është marrë vendim për shtyrjen e ndeshjes, e cila është dashur të luhet në Shën Petersburg, pra “të mos luhet në atë kohë”.
Në njoftimin për media, ata theksojnë se kryetari i Asociacionit, Vico Zeljkoviq, ka deklaruar “se ndeshja do të shtyhet për një datë të mëvonshme”.
Për shkak të pranimit të ftesës së Rusisë për një ndeshje miqësore, e cila u njoftua gjatë muajit shtator, Asociacioni dhe Kombëtarja e BeH u kritikuan dhe disa lojtarë të ekipit A të BiH-së deklaruan se nuk do të marrin pjesë në një ndeshje të tillë.
Dhe disa anëtarë të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës nuk ishin pro që të luhej një ndeshje e tillë, një ditë para fillimit të Botërorit. Irfan Durić, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, i tha më parë RSE se ai kundërshton vendimin për të caktuar ndeshjen e marrë nga Komiteti i Emergjencave të Shoqatës. Ai kërkoi që të konsultohet i gjithë komiteti ekzekutiv.
“Përveç të gjitha përfitimeve, unë mendoj se duhet të respektojmë vendin ku jetojmë dhe si jetojmë. Sipas mendimit tim… nuk është alternativa më e mirë për (Bosnjën),” tha ai.
Skuadra ruse e futbollit u përjashtua nga Kupa e Botës për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska. Bosnja dhe Hercegovina nuk arriti të kualifikohej.
Rusia humbi gjithashtu të drejtën për të kandiduar si mikpritëse e kampionateve të ardhshme ndërkombëtare.
Masa të ngjashme për klubet ruse dhe kombëtaren janë futur edhe në sporte të tjera.