Bisedimet në PD/ Zbardhen 6 propozimet e Bardhit për grupin e Berishës

Zbardhen propozimet e plota që grupi i Alibeajt, ku i mandatuar është Gazment Bardhi, i ka parashtruar Berishës për të vijuar bisedimet që do të çonin drejt daljes në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët. Në 6 parimet që i janë dorëzuar Palokës, që është edhe i mandatuari nga grupi i Berishës, përcakton disa pika, siç është dhe dëgjimi i zërit të çdo demokrati.

Po ashtu mes këtyre pikave është dhe ngritja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të çdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike.

Një tjetër pikë me rëndësi është dhe përzgjedhja e një kandidati të përbashkët opozitar.

Propozimi:

PARIMET PËR BASHKËPUNIMIT MES DEMOKRATËVE NË ZGJEDHJET VENDORE TË 14 MAJIT 2023

Nisur nga situata e brendshme e Partisë Demokratike të Shqipërisë, që ka sjell një përplasje opinionesh dhe mendimesh për çështje të ndryshme;

Me synimin e vetëm të unifikimit të çdo zëri opozitar në zgjedhjet lokale dhe përfaqësimin në këto zgjedhje me vetëm një kandidat të përbashkët fitues për kryetar bashkie dhe një liste të unifikuar të kandidatëve të Partisë Demokratike për këshillin bashkiak;

Është rënë dakord sa më poshtë vijon:

1.    Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin e demokratëve në nivel lokal për zgjedhjet vendore. Për këtë qëllim, duke respektuar mendimin e cilitdo për zhvillimet dhe çështjet e ndryshme brenda Partisë Demokratike, angazhohemi të krijojmë frymën e nevojshme të bashkëpunimit dhe fitores së zgjedhjeve lokale nga Partia Demokratike, duke ndërprerë dhe dënuar çdo sulm, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj mendimit ndryshe brenda partisë.

2.    Ngritjen e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe në nivel të cdo njësie vendore, me përgjegjësi kryesore krijimin e frymës së bashkëpunimit mes demokratëve dhe garantimin e fitores së Partisë Demokratike. Këshilli Drejtues Politik siguron përfaqësimin e barabartë gjithëpërfshirës në nivel qendror dhe lokal, dhe është përgjegjës për të garantuar zbatimin e këtyre parimeve të bashkëpunimit. Përbërja e Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror caktohet me mirëkuptim dhe frymë konsensuale.

3.    Përzgjedhjen e një kandidati përbashkët fitues që përfaqëson gjithë Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe çdo zë opozitar në njësitë përkatëse vendore. Përzgjedhja e kandidatit të përbashkët fitues për kryetar bashkie bëhet me “sistem pikëzimi” dhe shpallet nga Këshilli Drejtues Politik. Në këtë sistem përfshihen 50 % e pikëve nga votimi sipas parimit “një anëtar / 1 votë” dhe 50 % e pikëve nga “vrojtimi i opinionit të gjerë publik” nëpërmjet sondazheve. Pas konsultimit dhe marrjes së propozimeve nga anëtar të Partisë Demokratike apo flukse të tjera opozitare, kandidatët që përfshihen në procesin e vlerësimit propozohen nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor dhe miratohen me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror. Rregullat e detajuara për zbatimin e “sistemit të pikëzimit” përcaktohen me unanimitet në Këshillin Drejtues Politik në nivel qendror brenda një jave nga nënshkrimi i këtij dokumenti. Drejtimi i proceseve në njësitë vendore bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik në nivel vendor. Në rast mosmarrëveshje Këshilli Drejtues Politik në nivel qendror ushtron “të drejtën e ndëryrjes”.

4.    Përzgjedhja e kandidatëve të Partisë Demokratike për anëtar të Këshillave Bashkiak garanton përfaqësimin proporcional të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike. Përzgjedhja bëhet me unanimitet nga Këshilli Drejtues Politik.

5.    Fushata zgjedhore drejtohet nga kandidati për Kryetar Bashkie në cdo njësi vendore, në bashkëpunim me Këshillin Drejtues Politik, që përbën Shtabin e Fushatës Zgjedhore në nivel qendror dhe vendor.

6.    Këshillit Drejtues Politik në nivel qendror dhe vendor pas konstituimit të tyre i bashkohen edhe përfaqësues të partive parlamentare të tjera opozitare.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *