Nga data 20 Nëntor deri më 18 dhjetor Sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në një hapësirë tifozerie, ku qytetarët e Tiranës mund të ndjekin, nëpërmjet një ekrani gjigant, të gjitha ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit në botë.
Sportdashësit do të shijojnë përballjen e Kampionatit Botëror të Futbollit “Qatar 2022” në një atmosferë që vetëm Tirana Fan Zone mund ta ofrojë. Lajmin e dha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë dje në ndeshjen miqësore mes moshave në futboll Shqipëri-Katar, organizuar nga ambasada e Katarit.
“Ka shumë njerëz që pyesin a do të ketë aktivitete gjatë Kampionatit Botëror në Tiranë. Përgjigja është: PO! Sheshi Skënderbej do të jetë një Fan Zone i madh, ku secili merr flamurin e skuadrës së zemrës, familjen e tij, shokët e miqtë, për të ndjekur ndeshjet. Ne duam që periudhën nëntor-dhjetor ta kthejmë në një festë të madhe, për të brohoritur ekipet e zemrës, të kemi mundësi të kalojmë bukur këtë fundvit”, tha Veliaj.
Me këtë rast, kreu i Bashkisë dha lajmin se me 6 dhjetor Tirana pret përgjigjen nëse do të jetë edhe “Qyteti Evropian i Sportit 2023”.
“Ne, si qytet i Tiranës, kemi aplikuar për titullin “Qyteti Europian i Sportit 2023”. Përgjigja vjen në 6 dhjetor, por deri në atë datë, të gjithë do të punojmë fort që aplikimi ynë të jetë fitues. Ashtu siç kishim një vit fantastik si “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do të kemi një vit akoma më të bukur dhe akoma më të madh, me më shumë aktivitete, si ‘Qyteti Europian i Sportit 2023’”, njoftoi Veliaj.
Në fund, kryebashkiaku dha mesazhin se vetëm nëse veprojmë si skuadër dhe bashkohemi me njëri-tjetrin do mund të ecim përpara me punët e qytetit.