Ushtarët e njësive speciale afgane, që kanë luftuar përkrahë trupave amerikane, por që kanë ikur në Iran për tërheqjes së SHBA-së vitin e kaluar, tani po rekrutohen nga ushtria ruse për të luftuar në Ukrainë, thanë për agjencinë Associated Press tre ish-gjeneralë afganë.
Ata thanë se Rusia dëshiron të rekrutojë mijëra ish-komando elitare afganë “në legjionin e huaj”, duke u ofruar pagesë mujore prej 1.500 dollarësh duke u ofruar strehim për ta dhe familjet e tyre dhe garanci se nuk do të dëbohen për në Afganistan, ku shumë besojnë se do të përballeshin me vdekje në duart e talibanëve.
“Ata nuk duan të shkojnë në luftë, por nuk kanë zgjidhje tjetër”, tha njëri prej gjeneralëve, Abdul Raof Arghandiwal, duke shtuar se dhjetëra komando në Iran, me të cilët ai ka komunikuar përmes mesazheve, kanë frikë se do të dëbohen për në Afganistan. “Më jep një zgjidhje? Çfarë duhet të bëjmë? Nëse kthehemi në Afganistan talibanët do të na vrasin”.
Arghandiwal tha se rekrutimi i komandove po udhëhiqet nga grupi i mercenarëve Wagner. Gjenerali tjetër, Hibatullah Alizai, që ishte shef i ushtrisë afgane para se talibanët të merrnin pushtetin, tha se përpjekjet për rekrutim po ndihmohen edhe nga ish-komandantët e forcave speciale afgane që jetojnë në Rusi dhe flasin gjuhën ruse. Raportimet për rekrutime vijnë pas paralajmërimeve nga ushtarët amerikanë që kanë luftuar me forcat speciale afgane se talibanët do t’i vrasin këta ushtarë nëse i bashkohen armiqve të SHBA-së vetëm për të shpëtuar veten.
Një raport i Partisë Republikane në SHBA, i publikuar në gusht, paralajmëronte veçanërisht për rrezikun se komandot afganë – të trajnuar nga forcat amerikane – mund të ofrojnë informacione grupit militant, Shteti Islamik, Iranit apo Rusisë për taktikat e ushtrisë amerikane. Në raport po ashtu thuhej se ekziston rreziku që këta ushtarë t’iu bashkohen në luftë këtyre shteteve dhe grupeve. Po ashtu, raportimet për rekrutimin e afganëve vijnë në kohën kur forcat ruse po përballet me përparimet ushtarake të Ukrainës, duke shtyrë presidentin rus, Vladimir Putin – që urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt – të shpallte një mobilizim ushtarak, duke detyruar pothuajse 200.000 rusë të iknin nga shteti me qëllim që t’i shmangeshin mobilizimit.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk është përgjigjur për koment për këtë çështje. Ndërkaq, një zëdhënës i Yevgeny Prigozhin, i cili së fundi e ka pranuar se është themelues i grupit Wagner, ka hedhur poshtë pretendimet se ky grup po rekruton ish-ushtarë afganë, duke e cilësuar këtë ide si “të çmendur”./REL