59 kg marijuanë janë gjetur dhe sekuestruar në një kamion në Igumenicë, ndërsa shoferi i mjetit ku u gjet droga është gjendur i vdekur.
Oficerët e patrullës së Paramithisë, kanë pikasur një kamion me targa të huaja të parkuar në anë të rrugës në mesnatë. Në vendin e shoferit ndodhej një shtetas grek, i cili kishte ndërruar jetë.
Kamioni transportonte mallra drejt Athinës. Policia ka ushtruar kontroll në kamion më anë të një qeni ku mes mallrave janë zbuluar tre kuti kartoni brenda të cilave u gjetën dhe sekuestruan 54 pako me marijuanë të llojit Skunk me sasi totale 58 kg 906 gramë.
Policia greke ka arritur të vërë në pranga një shtetas grek, i cili në bashkëpunim me një grek tjetër tashmë në kërkim dhe dy të panjohur, kanë tentuar të çajnë kamionin me qëllim marrjen e drogës.
Ndërkohë, mësohet se është sekuestruar dhe një automjet që është përdorur nga të dyshuarit si dhe një shumë prej 2100 euro.