Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se cila është procedura e regjistrimit të partive politike.
Në kushtet kur tashmë Partia Demokratike është e përçarë, dilema është se në zgjedhjet e 14 majit, kush do të regjistrohet nën logon e PD, grupi i Berishës, apo ai i Alibeajt?
Në një sqarim për emisionin “Opinion” KQZ specifikon se për regjistrimin mes të tjerash duhet edhe një vërtetim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
“Partia që kërkon të regjistrohet si subjekt zgjedhor në KQZ ka detyrim të paraqesë në këtë institucion krahas të tjerave një vërtetim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas ligjit për partitë politike, është kjo gjykatë e cila mban regjistrin e partive politike. Ky regjistër, sipas këtij ligji përmban krahas të tjerave numrin rendror të regjistrimit, emrin e plotë të partisë, inicialet e partisë, stemën e partisë, emrin e kryetarit të partisë. Këto element i përmban dhe duhet t’i përmbajë vërtetimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë i cili depozitohet në KQZ kur kërkohet që të bëhet regjistrimi i partisë si subjekt”, sqaron KQZ.