Shkarkimet masive në Presidencë/ ‘Plas’ debati te Ligjet, PD: Bëni strukturën, mos hiqni njerëzit nga puna

Komisioni i Ligjeve është zhvilluar me debat përsa i përket lajmeve që kanë qarkulluar në media për largimin e disa punonjësve nga puna.

E gjitha pasi sekretari i Përgjithshëm, Florian Kali bëri bilancin e buxhetit për vitin 2023 para deputetëve, ndaj në momentin që mbaroi u përball me pyetjet e demokratëve.

Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi kanë pyetur nëse shkarkimet kanë ndodhur në të vërtetë dhe nëse janë bërë në kuadër të Kodit të Punës. Pasi në të kundërt, sipas tyre mund të ketë gjyqe që do të ndikojnë në buxhetin e institucionit për vitin e ardhshëm. Megjithatë nga Presidenca u sigurua se lëvizjet janë bërë për shkak të ristrukturimit të institucionit.

Pjesë nga debati:

Enkelejd Alibeaj: Kanë dalë disa njoftime në media lidhur me shkarkimet masive nëse kanë ndodhur, a do të sjellë impakt te buxheti për vitin 2023? Se nëse ata shkojnë në gjykatë dhe fitojnë gjyqet, marrin dëmshpërblim. Dëgjova që ju kërkoni edhe shtesë në personel.

Florian Kali (Presidenca): Ne kemi bërë një ristrukturim dhe kemi sjellë strukturën siç duhet, pasi ishte në një piramidë jo të drejtë. Të gjithë personat që nuk plotësonin kriteret, janë larguar. Numrin total të përafërt nuk mund ta them. Sa i përket llogarive, nuk shohim ndonjë impakt gjatë gjatë viteve të ardhshme. Nuk kemi asnjë procedim në Gjykatë Administrative. E gjitha është bërë brenda kritereve.

Gazment Bardhi: Pagat duhet të rriten për të gjithë administratën publike, jo vetëm për Presidencën. Sa i përket investimeve nëse lidhen me sigurinë e Presidencës, duhet të vendosen në dispozicion. Sa i përket shtesës në strukturë, ndaj të njëjtin shqetësim për pushime masive nga puna në institucionin e Presidentit. Nuk e pranoj dot që punonjësit që janë marrë në punë, janë marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore. Pushimet nga puna të pamotivuara janë të dënueshme kudo që ndodhin. Nuk e pranojmë dot që Presidenca të bëjë pushime masive nga puna, vetëm se u ndërrua Presidenti i Republikës. Punonjësit duhet të kenë qëndrueshmëri në punë. Ju strukturën bëjeni siç iu përshtatet më shumë, por respektoni ligjin për nëpunësit civilë. Duhet të ketë një qëndrueshmëri. Bëjeni strukturën por respektoni ligjin për nëpunësin civil

Klotilda Bushka: Pa diskutim që qëndrueshmëria e administratës është parim që garantohet. Ajo që ju thoni është sikur është kështu që thoni ju nisur nga ajo që dëgjoni në media. Ristrukturimi i institucioneve është e drejtë e vetë institucionit. Kur flasim për çështje së pari duhet të jemi korrekt. Ne nuk bëjmë dot gjykatën është bërë gabim apo jo. Nëse nuk e keni rishikojeni dhe një herë se dixhitalizimi është i rëndësishëm. Nuk nisemi dot nga një lajm në media dhe themi kështu është. Nuk merremi dot me retorikën e lajmeve. Çdo institucion mban përgjegjësi për buxhetin e shtetit. Presidenca e ka zbatimin e ligjit për vete. është shqetësim dhe jam dakord që ka një shqetësim, por që të themi kjo që dëgjuam kështu është.

Gazment Bardhi: Ndodh për herë të parë që dalin në lajme për shkarkime masive nga puna në Presidencë. Është për herë të parë në historinë 30-vjeçare. Bëni kujdes për të mos e politizuar institucionin e Presidentit. Pushime të tilla janë të dënueshme. Kam gjithashtu shqetësim që thoni se nuk e ka numrin sesa njerëz janë pushuar nga puna. Ata që pushohen nga puna e çojnë çështjen në Gjykatë dhe janë fatura që i rëndojnë buxhetit të shtetit.

Klotilda Bushka: Ne nuk mund të nisemi nga një lajm në media dhe të themi kështu është. Çdo institucion ka të drejtën e tij ta menaxhojë institucionin.

Gazment Bardhi: Unë po them është një shqetësim.

Bushka: Jam dakord që ka një shqetësim. Por që t’i vëmë ne vulën që kjo që dëgjuam kështu është, kjo nuk është e qartë. Sekretari i përgjithshëm e shpjegoi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *