Partia Demokratike ka prezantuar këtë të mërkurë procedurat dhe rregulloren për primaret, lidhur me zgjedhjet vendore 2023.
Në një deklaratë për mediat, Anëtari i KOKOE, Eno Bozdo tha se përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet mes datave 6-13 nëntor.
Sakaq shtoi se në këto primare nuk do të votohet vetëm për anëtarësinë por edhe për simpatizantët.
“Përcaktohen dy elementë të rëndësishëm që nuk i kemi pasur në primaret e para më 6 mars: vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD në primare. KOKOE organizon procesin zgjedhor të primareve. Pra në rolin e një Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Nuk kemi të bëjmë vetëm me votimin e anëtarësisë, por do votojnë edhe simpatizantët. Pasi të shpallet data e primareve me vendim të Kryesisë, KOKOE shpall në mënyrë automatike hapjen e procesit zgjedhor që i paraprin fushatës së kandidatëve dhe përfundon me datën e mbajtjes së primareve. Kemi dy operacione që po ndodhin dhe KOKOE është përgjegjëse: regjistrimi i kandidatëve dhe fillimi i procesit në degët kryesore për regjistrimin e simpatizantëve. Ne mendojmë se data e përshtatshme për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve përfundimtare do të jetë 6-13 nëntor.
Këtu përcaktohen edhe dy gjera të rëndësishme që nuk i kemi pasur në primaret e para më 6 mars: vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD në primare që vlen për anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë të tjerët që janë të interesuar ta ndjekin”, tha ai.