Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për politikën e jashtme dhe sigurinë e përbashkët, Josep Borrell, e ka cilësuar të papranueshme djegien e automjeteve në veri të Kosovës që janë riregjistruar nga targat serbe në targa të Kosovës.
Shefi i diplomacisë evropiane i bëri këto vlerësime pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin (Aljbin) Kurti të enjten, më 3 nëntor.
“Kam biseduar për situatën në veri të Kosovës. Veprimet përçarëse, të tilla si djegia e makinave, janë të papranueshme”, tha Josep Borrell në Twitter. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.
Good to meet PM @albinkurti ahead of #BerlinProcess
Discussed the situation in north of Kosovo. Disruptive actions, such as burning of cars, are unacceptable
Dialogue agreements must be respected. Call on all to act with restraint
We also discussed way forward on normalisation pic.twitter.com/I4fdzD12Fm
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) November 3, 2022
Takimi mes Borrelit dhe Kurtit është mbajtur në kryeqytetin gjerman Berlin, ku po mbahet samiti në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në veri të Kosovës, në javët e fundit janë shënuar katër raste të djegies së automjeteve me targa RKS (Republika e Kosovës), të cilat janë në pronësi të pjesëtarëve të komunitetit serb. Autoritetet e Kosovës këto ngjarje i quajtën “frikësim”.
Qeveria e Kosovës kërkon nga pjesëtarët lokalë të komunitetit serb që të riregjistrojnë targat KM (Kosovska Mitrovica), të cilat janë të paligjshme për Prishtinën dhe të cilat deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në veri, ku popullsia shumicë serbe jeton.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se plani për riregjistrim në RKS (Republika e Kosovës) do të realizohet në tri faza në periudhën nga 1 nëntori deri më 21 prill.
Në fazën e parë drejtuesit vetëm paralajmërohen , në të dytën mund të paguajnë gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të lëshohen targa. Nga data 21 prill 2023 do të mund të përdoren vetëm targa RKS.