Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për mjekun ligjor Shkëlqim Korbi. Mësohet se Gjykata ka vendosur masën e sigurisë në ‘arrest shtëpie’. Mjeku kërkoi ndryshim të masës së sigurisë për shkak të problemeve shëndetësore.
Kujtojmë që Korbi u arrestua së bashku me ish-gjyqtaren Enkelejda Hoxha dhe 8 persona të tjerë, pasi dyshohet se ishte i përfshirë në korrupsion. Emri i gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha tashmë lidhet me lirimin nga burgu të disa të dënuarve, përmes vendimeve të dyshimta, para se ajo të përballej me Vetingun. Ajo u ka hapur dyert e burgut ish-numrit dy të bandës së Durrësit Endrit Dokle, duke i shuar dënimin përjetë, Genc Tafilit, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.
Sipas dosjes së SPAK mjeku lëshoi një ekspertizë të rremë në mënyrë që të përfitonte lirinë e parakohshme me kusht Gentian Nezaj dhe Saimir Petani. Ndërkohë të arrestuarit e tjerë vazhdojnë që të jenë në qeli, edhe pse kanë bërë disa herë kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë.