Së fundmi, këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora, ka qenë e ftuar në emisionin e Jonathan Ross, ku ka treguar shumë gjëra nga jeta e saj.
Edhe në këtë intervistë nuk kishte si të mungonte një rrëfim i Ritës për origjinën e saj, ku shtoi se transferimi i prindërve të saj në Britaninë e Madhe shumë vite më parë, ishte gjëja më e mirë që mund të bënin.
“Të gjithë u transferuam në Londër, ishte gjëja më e mirë që prindërit e mi mund të bënin ndonjëherë. Prindërit e mi na sollën këtu dhe ata filluan nga e para. Nuk ishte e lehtë, por ne kishim dashuri përreth. Tani jam vërtet me fat që jam në gjendje t’i shpërblej për gjithë punën e vështirë që kanë bërë,”-u shpreh ylli i muzikës.
Rita Ora u ndal tek jeta personale dhe partneri i saj Taika Waititi, të cilin e konsideroi si “personin e saj të preferuar”. Artistja me famë botërore do të bashkëprezantojë së bashku me regjisorin, eventin e madh të ndarjes së çmimeve, “MTV Europe Music Awards 2022”.
Teksa tregoi emocionet në lidhje me këtë ngjarje, ajo u shpreh se më e lumtur është që më në fund do të punojë në një projekt të përbashkët me bashkëshortin e saj.
“Unë e prezantova atë në vitin 2017, por tani po e prezantoj sërish dhe këtë herë po e bëj bashkë me Taikan, partnerin tim. Nuk kemi punuar kurrë më parë bashkë. Është mirë të jem në gjendje të bëj diçka argëtuese me personin tim të preferuar. Ne jemi i njëjti person. Është mirë të gjesh dikë me të cilin mund të argëtohesh, të punosh dhe të respektosh punën e njëri-tjetrit”,-përfundoi Rita Ora.