Tre persona kanë rënë në pragat e policisë së Korçës në kuadër të operacionit “Knock Down 2”.
Uniformat blu raportojnë se S. J., 31 vjeç, J. R., 19 vjeç dhe E. T., 35 vjeç janë kapur duke shpërndarë lëndë narkotike cannabis sativa. Sakaq, numri i të arrestuarve në vijim të këtij operacioni ka shkuar në 26, ndërsa 9 janë ende të shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni “Knock Doën 2”, i finalizuar një javë më parë.
Vihen në pranga 3 shtetas të tjerë. Shkon në 26 numri i të ndaluarve dhe në 9 numri i të shpallurve në kërkim.
Sekuestrohet një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Knock Down 2”, të finalizuar më datë 28.10.2022, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të dyshuar si të implikuar në këtë aktivitet kriminal, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– S. J., 31 vjeç, J. R., 19 vjeç dhe E. T., 35 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative se këta shtetas ushtronin aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytetin e Korçës, organizuan punën dhe bënë të mundur lokalizimin e tyre në rrugën Ravonik-Korçë, gjatë kohës që ata po lëviznin me automjetin tip “Renault”, që drejtohej nga shtetasi J. R. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. J., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.