Emri i tij është një nga më të lakuarit, kur bëhet fjalë për fotografi. Po flasim për Fadil Berishën i cili ka shënuar një tjetër sukses në karrierën e tij. Teksa është një nga figurat më të njohura në Shqipëri, emrin dhe imazhin e tij së fundmi e ka parë edhe i gjithë New York-u.
Fadili ka publikuar në rrjetin social Instagram disa imazhe, të cilat shfaqin një nga “billboard”-et e ‘Times Square’ me fotografinë dhe emrin e tij.
“Faleminderit për mikpritjen “Nasdaq”– shkruan ai krahas fotove.
Kjo paraqitje në “billboard” është mundësuar nga “Nasdaq”, një kompani globale e teknologjisë që synon rritjen dhe prosperitetin gjithëpërfshirës, duke krijuar mundësi për tregje dhe ekonomi të të gjitha madhësive.
Siç dihet, fotografi prej vitesh e ka zhvilluar profesionin e tij në New York, ku ka vendosur para aparatit të tij emrat më të njohur të personazheve shqiptar dhe jo vetëm. Më herët, fotografi i njohur ka treguar se ai ka punuar edhe me Kris dhe Kendall Jenner, përpara se ato të bëheshin të famshme.
Në “billboard”-et gjigante të Times Square, janë shfaqur më parë edhe emrat e njohur shqiptarë të muzikës si: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Ava Max.