Komisioni i Ankimimeve dhe Saksioneve (KAS) në seancën e sotme, do të shqyrtojë ankimimet e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizje Socialiste për Integrim, për Qarkun e Elbasanit.
Marash Logu, përfaqësuesi i PD në KAS, kërkoi pavlefshmërinë dhe ripërsëritjen në një kohë sa më të shpejtë e zgjedhjeve në këtë qark, pasi pretendon, se ka parregullësi të shumta e fakte për ta ndërmarrë këtë akt.
Ai tha se nga të dhënat e siguruara nga pajisja e identitetit elektronik, rezulton se 48 persona kanë votuar plot 312 herë në këtë qark. Sakaq, sipas Logut, në këmbim të votave, Partia Socialiste ka shfrytëzuar tenderat, lëshimin e lejeve të legalizimit dhe ndihma ushqimore e financiare.
“Ne kërkojmë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun e Elbasanit dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve në mënyrë sa më të afërt. Ne kemi shpjeguar të gjitha shkeljet ligjore që kanë ndodhur në Qarkun e Elbasanit. Ne kemi parashtruar se shtetasit Taulant Balla, Saimir Hasalla, Besion Ajazi dhe Santila Tahiraj, Gjergj Luca, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, përfaqësues të PS.
Ndaj këtyre shtesave kemi paraqitur kallëzimet penale, përkatësisht 20 shkurt 2021 dhe 7 prill 2021. Këta persona akuzohen për shpërdorim detyre. Krahas blerjes së votave që shkojnë nga 100 deri në 300 euro, ne kemi parashtruar në këtë komision se janë dhënë ndihme ushqimore e financiare. Prova që kemi vendosur në dispozicion janë të mjaftueshme, por ato duhet të mbështeteshin në prova të tjera, kjo është dhe arsyeja që ne kemi kërkuar të administrohen prova, kërkesë që në vlerësimin tonë ishte plotësisht me Kodin Zgjedhor. Këto kërkesa janë refuzuar në mënyrë të përsëritur. Ne kemi parashtruar se shteti ka vendosur, PPP, tendera në funksion të zgjedhjeve. Shtetas me rekorde kriminale, kanë përfituar tendera publike me vlerë miliona euro, ka pasur dhe shkelje të rënda të ligjit.
Persona me rekorde kriminale krijuan kompani me përfitim tenderash dhe një pjesë të parave i vendosën në dispozicion të PS për zgjedhjet. Fushata e PS është financuar nga buxheti i shtetit. Pra, kemi plot 36 prova, për të vërtetuar pretendimin tonë, duhej të merreshin prova më të shumta. Kjo kërkesë është refuzuar në mënyrë të përsëritur, për të refuzuar nevojën për transparencë. Zyrtar të lartë të PS shfaqeshin në aktivitete publike, duke shpërndarë leje legalizimi në këmbim të votës. Të dhënat personale të qytetarëve u vodhën në mënyrë të paligjshme, 500 mijë qytetarëve shqiptarë me të drejt vote iu mohua kjo e drejtë. Kemi pasur mundësi të parashtrojmë fakte konkrete për votime të shumëfishtë, familjar, por edhe për të tretët. Shenjat e gishtërinjve e 47 personave, janë përdorur për identifikimin e 312 zgjedhësve, çka do të thotë ka dyshim që një person ka votuar shtatë herë për person, kjo cënon procesin zgjedhor”, tha Logu