Anëtarët e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së ndodhen në washington DC në kuadër të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 8 Nëntorit.
Përmes një postimi në ‘Facebook’ sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri shkruan se SHBA duhet të dalë më e fortë për të luajtur rolin e liderit global të botës demokratike.
Postimi i plotë:
Kënaqësi të jem në washington DC në kuadër të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 8 Nëntorit. Bashkë me Ermonelën dhe Fatmirin, në cilësinë e anëtarëve të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së morëm pjesë në një takim informues nga ndihmës zv.sekretari i shtetit Douglas Jones dhe kordinatorja speciale për monitorimin e zgjedhjeve për OSBE-në Margareta Cederfelt.
Këto zgjedhje në SHBA zhvillohen në një mjedis të polarizuar politik për shkak të efektit të inflacionit dhe pasojave të tjera që kanë ardhur pas zhvillimeve ndërkombëtara siç është lufta në Ukrainë; ato kombëtare, kryesisht ekonomia, çmimet, dhuna, migracioni, ngrohja globale etj. Pritet të jetë një betejë e fortë për kontrollin e Dhomës së Përfaqësimit dhe Senatit Amerikan.
Rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë një ndikim të madh dhe në planin ndërkombëtar pasi një ndryshim i mundshëm i mazhorancës së Kongresit do të ndikojë në politikat e administratës Biden.
Pavarësisht rezultatit, të gjithë urojnë që SHBA të dalë më e fortë për të luajtur rolin e liderit global të botës demokratike e cila kërcënohet çdo ditë e më shumë nga tendencat autokratike në shumë vende të globit.