Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me largimin e listës serbe nga të gjitha institucionet.
Vjosa thekson se Serbia po destabilizon veriun e Kosovës, ku shton se bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe se do të kujdesen që secili qytetarë të marrë shërbimet e nevojshme pa ndonjë ndërprerje.
“Zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike. Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje”, thuhet në komunikatën e Presidencës.