Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologen e tij, Vjosa Osmani lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Begaj në ‘Facebook’ shkruan se të dyja vendet duhet të vazhdojnë dialogun dhe të kenë në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetin.
Postimi i plotë:
Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.
I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO.
Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.