Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të gjejnë zgjidhje në mënyrë konstruktive, dhe që të përmbushin obligimet që dalin nga dialogu i ndërmjetësuar prej Bashkimit Evropian në Bruksel.
Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë. Sipas Ambasadës, të dyja palët duhet të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të mund të çonin në dhunë dhe përballje.
Ambasada i ka bërë këto komente një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveri, Kuvend, institucionet lokale, polici dhe gjyqësor. Paralajmërimet e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës. Ambasada ka thënë po ashtu se SHBA-ja pajtohet plotësisht me Bashkimin Evropian që tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet.
“Retorika dhe veprimet që rrisin mundësinë e dhunës, përballin personat e pafajshëm dhe jetët e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare me rrezik të panevojshëm”.
Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja është në linjë me BE-në edhe sa i përket kërkesës ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët. Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës, pas vendimit të serbëve për t’u larguar nga të gjitha institucionet e këtij vendi.
“Mendoj se diçka e tillë do të kontribuojë në paqe. Nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit, frikësohem se kjo situatë mund të çojë në katastrofë”.
Vuçiq ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë aplikuar “opsionin më të keq të mundshëm” kur është fjala për targat.
“Fillimisht na qorton dhe më pas na poshtëron. Më pas thotë se do t’ju ndëshkojmë financiarisht. Më pas që do të konfiskojë targat e makinave dhe makinat”.
Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe. Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin për targat, mirëpo ka shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tij për shtyrje 12-mujore të vendimit.
Thirrjet për formim të Asociacionit
Sikurse BE-ja, edhe SHBA-ja u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të zbatojnë marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim, dëmton sundimin e ligjit dhe reputacionin e Kosovës”, është thënë mes tjerash në reagim.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./rel