“Me urdhër të babait të tij më rrihte me rrip”/ Rrëfimet horror të grave që u blenë nga 65-vjeçari shqiptar

Një burrë shqiptar dhe katër djemtë e tij do të gjykohen në Zvicër nga e hëna për shkak se dyshohet se kanë kontrabanduar në Zvicër disa vajza nga viset shqiptare. Ato janë mbajtur të izoluara si skllave me vite të tëra dhe kanë qenë të detyruara t’ua lajnë edhe këmbët burrave të tyre patriarkalë dhe të dhunshëm. Aktakuza kundër këtij klani familjar lexohet si një film horrori.

Më 24 nëntor pritet të shpallet aktgjykimi. Është e mundshme që Adem J. (emri i ndryshuar) dhe katër djemtë e tij të dënohen me burg shumëvjeçar, madje deri në 20 vjet. Procesi gjyqësor kundër tyre fillon këtë të hënë në Moutier, në kantonin Jura, jo larg Bernit, kryeqytetit të Zvicrës.

Aktakuza kundër këtij klani familjar lexohet si një film horrori dhe do të mund të bartte këtë titull: “Rrahje, dhunime, terror psikik, izolim: katër gra shqiptare në një familje në Zvicër”.

Gazeta “Tages Anzeiger” e ka rekonstruktuar rastin duke u bazuar në aktakuzë. Është një shembull i dhunës patriarkale dhe i terrorit toksik të burrave.

Për shembull rasti i Dritës (emri i ndryshuar). Në vitin 2007 ajo pas një udhëtimi disaditor arriti në Zvicër – ilegalisht. Adem J., një burrë 50-vjeçar, u kishte premtuar prindërve të Dritës në Shqipëri se vajza e tyre mund të jetojë më mirë në Zvicër nëse martohet me djalin e tij. Drita ishte vetëm 15-vjeçare kur erdhi në Zvicër. Ajo nuk deshi të vinte këtu, por prindërit e saj të varfër dhanë pëlqimin. 15-vjet më vonë në Zvicër do të fillojë procesi gjyqësor kundër Adem J., i cili e solli Dritën në Zvicër. Adem J. tani është 65-vjeçar, ai ka shtetësi serbe dhe i përket pakicës shqiptare në Serbinë jugore. Të akuzuar janë edhe 4 djemtë e tij të moshës 26 deri 38. Ata akuzohen për: trafikim njerëzish, shkaktim të lëndimeve trupore, martesë me detyrim, dhunim, veprime seksuale me fëmijë. Babai i djemve akuzohet edhe për keqpërdorim të ndihmave sociale. Këta pesë burra dyshohet se i kanë kryer krimet e lartpërmendura në periudhën mes viteve 2003 dhe 2019. Në këtë periudhë ata përveç Dritës sollën në Zvicër edhe tri vajza të tjera nga Shqipëria dhe nga Serbia jugore. Ato u sollën këtu me premtimet e rrejshme se do të kenë një jetë më të mirë.

Aktakuza prej 34 faqesh numëron një sërë krimesh të kryera nga ky klan burrash mbi gratë e “importuara”. Burri i Dritës, Arsimi (emri i ndryshuar), me urdhër të babait të tij ushtron dhunë kundër Dritës, me rrip, me grusht, me gërshërë. E pështyn në fytyrë, e kërcënon se do ta vrasë, se do t’ia shkatërrojë jetën, se do të gëzohej nëse ajo vdes. E quan lavire. E dhunon.

Në vjeshtën e vitit 2008, shkruan “Tages Anzeiger”, Drita (16-vjeçare) lind fëmijën e parë. Jeton në shtëpi si në burg. Burri dhe vjehrri nuk e lejojnë të dalë nga shtëpia. I lejohet të dalë njëherë në tri javë. Vjehrri e urdhëron të birin e tij që t’i lejojë Dritës të telefonojë me familjen në Shqipëri vetëm njëherë në muaj – 5 deri 10 minuta. Në vitin 2018, Drita tashmë është 26-vjeçare pajiset me telefonin e parë mobil në jetë, por s’ka kredi për të telefonuar. Kështu thuhet në aktakuzë. Drita dhe tri gratë e tjera e kalojnë kohën duke shërbyer në shtëpi. Ato detyrohen t’ua lajnë edhe këmbët vjehrrit dhe burrave të tjerë. Terrori fizik dhe psikik i thyen këto gra, ato vuajnë aq shumë nga frika dhe depresioni, saqë nuk marrin guximin të ikin nga shtëpia ku mbahen praktikisht të izoluara. Ato frikësohen se mund të dëbohen nga Zvicra pasi burrat e tyre nuk i kanë lajmëruar te autoritetet në përputhje me ligjin. Rreth vitit 2018 punëtorëve të entit social u bie në sy kjo familje. Ata kërkojnë që gratë të ndjekin një kurs të gjuhës gjermane dhe të interesohen për punë. Në fillim të vitit 2019 njëra nga kunatat e Dritës braktis burrin e saj të dhunshëm. “Kjo e acaroi vjehrrin, ai më kërcënoi se nëse edhe unë ikja nga shtëpia, do të kishte pasoja. Më ha se mund të merrte një vrasës nga Shqipëria”, ka thënë në dëshminë e saj Drita.

Megjithatë, edhe Drita vendos të ikë nga shtëpia me fëmijët e saj. Pastaj ikin edhe gruaja e tretë dhe e katërt. Aktualisht, sipas avokatit të viktimave, ato jetojnë nën mbrojtje të autoriteteve. Për të akuzuarit vlen supozimi i pafajësisë deri në vendimin e plotfuqishëm të drejtësisë.Po si ka qenë e mundur që këta pesë burra të mbajnë këtë sistem të terrorit ndaj katër grave? Pse nuk e ka vërejtur askush këtë tmerr me vite të tëra? A kanë ditur diçka familjarët e afërt? Ndoshta në disa nga këto pyetje do të ofrojë përgjigje procesi gjyqësor./BW

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *