Një tjetër demokrat i bashkohet Primareve në PD.
Këtë të hënë, ish-drejtuesi i lartë në Policinë e Shtetit, Arjan Hoxha ka prezantuar sot kandidaturën për Bashkinë e Kamzës.
Në një deklaratë për mediat, Hoxha tha se primaret janë manifestimi më i bukur i demokracisë dhe votës së lirë dhe se nëse ai nuk zgjidhet kandidat i PD-së, do t’i japë dorën fituesit.
“Nga dita e parë që jam zgjedhur në drejtimin e PD-së Kamëz, e kam ndjerë peshën e përgjegjësisë së këtij pozicioni. Prandaj, së bashku me ekipin drejtues të degës i jemi vënë punës për të takuar çdo demokrat, për ta falënderuar për kontributin e tij, për të dëgjuar idetë dhe për ta ftuar që të vazhdojë kontributin brenda familjes tonë politike. Pikërisht këto takime e biseda, më kanë nxitur dhe inspiruar që të përfshihem në garën e brendshme të primareve për kandidat për Bashkinë Kamëz. Unë besoj fort se primaret janë manifestimi më i bukur i demokracisë dhe votës së lire. Ekipi im dhe unë kemi punuar fort gjatë kësaj kohe për bashkimin e demokratëve në Kamëz dhe Paskuqan, e në një masë të madhe, besoj se ia kemi dalë. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, së bashku me ekipin tim do t’i shumëfishoj takimet dhe kontaktet me demokratët e Kamzës dhe Paskuqanit, në mënyrë që në zgjedhjet e 14 Majit të jemi të gjithë bashkë për të festuar çlirimin e Bashkisë Kamëz nga pengmarrja e Edi Ramës dhe Rakip Sulit, e kthimin e saj qytetarëve”, tha ai.
Hoxha do të jetë në garën e 4 Dhjetorit përballë një tjetër ish figure të lartë që vjen nga radhët e Policisë së Shtetit, Asllan Dogjani.