Situata në veri të Kosovës, Kurti: Vuçiç koordinohet me Rusinë dhe Kinën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç po intensifikon përpjekjet për destabilizim pasi sipas tij kështu do të kamuflojë refuzimin e tij për planin franko-gjerman.

“Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit. Janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Vuçiqit për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara në drejtim të qytetarëve të vendit tonë nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe panikut”, tha Kurti në një konferencë për media.

Ai përmendi faktin se Vuçiç së fundmi u takua me ambasadorin e Rusisë dhe atë të Kinës në Beograd, ndërsa tha se “kjo tregon qartë që presidenti i Serbisë koordinohet me Rusinë e Kinën ndërsa gënjen e zhgënjen SHBA-në dhe BE-në”.

Tensionet në Veri të Kosovës kanë nxitur një tjetër ngërç në marrëdhëniet mes vendeve. Lista Serbe paralajmëroi se do të tërhiqej nga të gjithë institucionet në veri. Të shtunën ishin efektivët serbë në Policinë e Kosovës në Mitrovicë ata që dorëzuan detyrën dhe në shenjë simbolike hoqën uniformat. Ndërkohë ditën e sotme ata dorëzuan armët pranë Rajonit të Policisë në Zveçan ndërsa Lista Serbe dorëzoi mandatet në Kuvendin e Kosovës. Qeveria e Kosovës ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga marrëveshja për targat, ndërkohë që SHBA dhe BE kanë mbërë thirrje për maturi duke dënuar veprimet e Serbisë në Veri.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *