Tatuazhet janë shumë të preferuara nga grupmosha të ndryshme.
Me anë të tatuazheve njerëzit prezantojnë një anë të tyre, ndaj dhe fenomeni i tatuazheve është shumë i përhapur dhe i dëshiruar.
Por Dr. Marie Leger, dermatologe në Universitetin e New York-ut, Langone Medical Center, ka studiuar efektet negative të tatuazheve. Ajo bën një listë të shkurtër të gjërave që duhen pasur parasysh para se të merret vendimi për të bërë një tatuazh.
Infeksionet
Një tatuazh i bërë jashtë kritereve higjienike mund të çojë në infeksion. Në fakt, infeksionet mund të vijnë nga elementë të ndryshëm të procesit, që nga personi që e bën tatuazhin e deri te boja. Në vitin 2012, në New York pati një rritje në masë të infeksioneve të lëkurës. Burimi i këtyre infeksioneve doli se kishte qenë boja e kontaminuar me një bakter të quajtur Mycobacterium chelonae, i cili shkakton acarim të dhimbshëm të lëkurës, që mund të zgjasë disa muaj. Ky lloj bakteri i përket të njëjtës familje ku klasifikohen bakteret e tuberkulozit dhe lebrozës. Por përveç infeksioneve bakteriale, tatuazhet mund të shkaktojnë edhe infeksione virale dhe lytha. Një këshillë: Nëse tatuazhi juaj skuqet, enjtet apo ju dhemb, duhet të drejtoheni menjëherë te mjeku.
Alergjitë
Mund të zhvillohen alergji nga tatuazhet. Pacientët që nuk kanë pasur reagim alergjik nga tatuazhet e para mund të hasin këtë problem nëse bëjnë tatuazhin e dytë ose të tretë. Mjekja sjell rastin e një pacienteje, e cila bëri një tatuazh dhjetë vjet pasi kishte bërë tatuazhin e parë. Si pasojë e një reagimi alergjik, të dy tatuazhet iu skuqën dhe filluan t’i kruheshin.
Alergjitë e tatuazheve mund të jenëtë vështira për t’u trajtuar, thotë ajo. Injeksionet e steroideve mund të ndihmojnë, por në raste ekstreme pjesa ku është bërë tatuazh duhet hequr në mënyrë kirurgjikale.
Fshehja e problemeve të tjera
Mbulimi i lëkurës me tatuazhe mund të fshehë probleme të tjera të shëndetit, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre në fazat fillestare. Ka pasur raste kur tatuazhet kanë mbuluar simptoma të melanomës. Në vitin 2013, një burrë u diagnostikua me kancer të lëkurës, pasi tatuazhi i tij u hoq me lazer. Masa tumorale ishte fshehur nën bojën e zezë.
Ekspozimi në diell
Tatuazhet mund të rrisin rrezikun e djegies nga dielli. Një studim danez në 2014 nxori se 42 për qind e të pyeturve në plazh kishin pasur probleme me tatuazhet. Të paktën gjysma e tyre kishin simptoma si enjtje, kruarje dhe skuqje.
Edhe ngjyra e bojës së përdorur ka rolin e vet. I njëjti studim nxori se problemet më të mëdha me tatuazhet i kishin pasur ata që në lëkurën e tyre kishin vizatime me bojë të zezë, të kuqe dhe blu.
Probleme me rezonancën magnetike
Njerëzit që duhet t’i nënshtrohen një rezonance magnetike mund të kenë probleme me tatuazhet. Në vitin 2011, një futbollist profesionist pati djegie gjatë rezonancës magnetike. Rasti shkaktoi habi dhe mjekët menjëherë nisën kërkimet për të zbuluar shkaqet. Arsyeja ishin rrymat elektrike që formoheshin në hekurin që ndodhej në përbërje të bojës së tatuazhit. Mjekët thanë se pacientët me tatuazhe të zeza duhej të bënin kujdes, pasi kjo bojë përmban oksid hekuri.