Fatura e emigracionit, sa i kushton Shqipërisë ikja e të rinjve

Nga Klodian Muço

Nëse nuk do të merren masa konkrete si: bursa apo punësim i garantuar për disa degë të mësuesisë; fonde mbështetëse për të rinjtë që duan të zhvillojnë sipërmarrje në zonat rurale ku jetojnë; pagesa stimuluese për lindjet si psh 50euro në muaj për çdo fëmijë nga 0-6 vjeç; garantimin e vendeve të punës për të kthimin e trurit në vend; më tepër siguri shëndetësore, ushqimore apo arsim më cilësorë; etj., emigracioni dhe plakja e popullsisë do jetë shkatërrimi i ekonomisë së vendit….

Sot është normale që personat të spostohen në vende të tjera për të zhvilluar sa më mirë aftësitë e tyre kjo lëvizshmëri mund të konsiderohet fenomen global. Problemi i emigracionit apo më saktë i ikjes së të rinjve, lind kur në një vend ikin shumë më tepër persona sesa kthehen.

Në këtë rast kemi të bëjmë me humbjen e të ashtuquajturit “kapitali human”. Nëse ky fenomen vazhdon prej dekadash siç po ndodh në Shqipëri ka efekte në kapacitetin e të bërit inovacion, në reduktimin e produktivitetit të vendit dhe në mënyrë indirekte në rritjen e pagës në mënyrë të “sforcuar” që gjeneron kosto për ndërmarrjet, si dhe në një sërë eksternalitetesh negative që do të paraqiten në vijim.

Këto efekte anësore kanë një kosto ekonomike komplekse, që është relativisht shumë e vështirë ti jepet një vlerë emigracionit, pasi është humbje e njohurive potenciale, dëmton perspektivat e rritjes në të ardhmen, dëmton sistemin arsimor, sistemin e pensioneve, cilësinë në sistemin sanitar etj.

Referuar të dhënave të Instat dhe Eurostat rezulton se Shqipëria ka një nivel shumë të ulët të punësimit të të rinjve (15-29 vjeç), rreth 20.9% për 2021.

Të rinjtë në Shqipëri hasin vështirësi në gjetjen e punëve të kualifikuara dhe të mirëpaguara, duke mos garantuar dot një të ardhme të sigurt për ta, kjo bën që të rinjtë sidomos ata të zonave periferike të Shqipërisë të emigrojnë (gati 570 mijë Shqiptarë kanë emigruar në 10 vitet e fundit).

Ky fenomen sipas burimeve të dhënave ndërkombëtare (Unicef, Eurostat, IOM) rezulton të jetë në rritje të ndjeshme, ku shqiptarët rezultojnë në vendet e para në Europër për kërkimin e azilit politik (sipas Eurostat në 2020 shqiptarët zinin vendin e dytë për azilkërkuesit me18 kërkesa për 100 mijë banorë). Pjesa dërmuese e tyre ishin të rinj nën moshën 34 vjeç. Në periudhën janar shkurt të 2022 1 në 3 maturantë mendonin të vazhdonin studimet universitare jashtë Shqipërisë.

Referuar të dhënave të Instat në 2017 popullsia me moshë nga 0-19 vjeç ishte 732,315 ndërsa në 2021 kaloi në 647.864, me një rënie prej 11.5% vetëm në 4 vitet e fundit. Ndërsa popullsia në pension (mbi 65 vjeç) është rritur nga 552.492 që ish në 2017 në 625.973 persona, duke u rritur me 13.3%.

Pasojat

Reduktohet numri i të rinjve dhe rritet numri i pensionistëve, të parët prodhojnë vlerë të shtuar të dytët konsumojnë vlerë (pensione dhe shërbim sanitar). Nga viti në vit skema e pensioneve po përkeqësohet.

Nëse në 1990 ne kishim 4 kontribuues (të punësuar) për çdo 1 përfitues pensioni (pensionist) sot kemi 1.4 kontribues për çdo pensionist. Nëse do ti referohemi projeksioneve të popullsisë sipas grupmoshave në 2030 do të kemi 1.1 kontribuues për 1 përfitues (sistemi i pensioneve kalon padyshim në kolaps).

Emigracioni është një kosto shumë konsistente, nga këndvështrimi i kapitalit human, pasi formimi i një personi ka një kosto për shoqërinë dhe familjen.

Sot një familje harxhon mesatarisht 8% të buxhetit familjar për rritjen dhe edukimin e fëmijëve nga lindja deri në 24 vjeç një familje harxhon rreth 42 mijë euro. Po ashtu qeveria shpenzon rreth 18 mijë euro për formimin e një të riu (nga klasa e parë fillore deri në maturën shtetërore, po ashtu rreth 36000 euro i kushton vendit dhe familjes formimi i një mjeku ku në vitet e fundit janë larguar rreth 20000 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria, gati 2000 infermierë dhe mjek çdo vit largohen nga Shqipëria, drejt vendeve të zhvilluara.

Nga Shqipëria largohen çdo vit rreth 55000 mijë veta nga të cilët rreth 90% nuk kthehen më në periudhën afatshkurtër apo afatmesme dhe rreth 35% e tyre janë deri në moshën 25 vjeç. Kjo nënkupton se ne humbasim rreth 630 milionë euro çdo vit vetëm nga largimi i të rinjve që nuk kthehen më në vendlindje. Kjo është humbja në formimin e kapitalit human. Por nuk është e vetmja humbje.

Largimi i të rinjve sidomos nga zonat rurale po ndikon negativisht në strukturën demografike të popullsisë dhe po rriten ndjeshëm kostot te punës në sektorët jo produktivë siç është bujqësia dhe blegtoria. Largimi po bëhet problem dhe në qytete. Sot një sektor jo shumë produktiv si ai fason po detyrohen jo vetëm të rriti ndjeshëm pagat për të siguruar forcë punëtore por edhe të kërkojë në vendet e largëta si Nepali apo Bangladeshi duke menduar tashmë jo vetëm për pagat por edhe akomodimin e tyre.

Efektet janë shkatërrimtare në cilësinë e sistemit shëndetësor nga ikja e mjekëve dhe e infermierëve (nga 140 mjekë për 100 mijë banorë që kish Shqipëria në vitin 2000, ndërsa në 2018 kishim vetëm 110 mjekë për 100 mijë banorë ku mesatarja e BE-së ishte 348 mjekë për çdo 100 mijë banorë. Spitalet në qytete dhe një pjesë e atyre rajonale po shkojnë drejt kthimit në ambulatorë apo drejt mbylljes fare.

Largimi i të rinjve redukton numrin e lindjeve dhe numrin e nxënësve në arsimin parauniversitar duke e kaluar raportin nxënës mësues nga 20 që ka qënë në vitet 2000 në rreth 7.8 në qarkun e Gjirokastrës, kjo nënkupton që në shumë zona kemi kaluar në klasa kolektive, pra reduktim të ndjeshëm të cilësisë dhe rezultateve të të nxënit.

Largimi i të rinjve nënkupton po ashtu rënie të kërkesës agregate në tërësi apo të konsumit në shumë sektorë specifik në veçanti, çdo i ri që po ikën redukton kërkesën agregate afatgjatë me mijëra euro (nuk blen një shtëpi, nuk blen veshje, nuk konsumon ushqime në vend etj).

Largimi i personave të kualifikuar si inxhinieret apo programuesit po reduktojnë ndjeshëm nga viti në vit avantazhin që kishte Shqipëria në raport me vendet e zhvilluara për gjetjen e kapitalit human të mirëarsimuar me kosto më të ulët se mesatarja e BE-së.

Nëse nuk do të merren masa konkrete si: bursa apo punësim i garantuar për disa degë të mësuesisë; fonde mbështetëse për të rinjtë që duan të zhvillojnë sipërmarrje në zonat rurale ku jetojnë; pagesa stimuluese për lindjet si psh 50euro në muaj për çdo fëmijë nga 0-6 vjeç; garantimin e vendeve të punës për të kthimin e trurit në vend; më tepër siguri shëndetësore, ushqimore apo arsim më cilësorë; etj., emigracioni dhe plakja e popullsisë do jetë shkatërrimi i ekonomisë së vendit. /monitor.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *