NATO në të njëjtën ditë 12 vite më parë bëri si anëtare dy shtete të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Kroacinë. Por në një kohë që Shqipëria do të mbahet mend vetëm për shprehjen e Berishës “For mi, this is a miracle of fridem!”, Kroacia nga ana tjetër është vërtetë një partner dinjitoz i Aleancën më ta madhe ushtarake, me një ushtri që i kalon 2% të PBB si shpenzime vjetore.
Kohët e fundit Kroacia e ka modernizuar dhe pasuruar me armatime të shumta ushtrinë e saj të aftë luftarakisht, por në muajt e fundit ky vend ka rënë dakord që të rinovojë edhe flotën ajrore me avionë bashkëkohorë.
Për të qenë në lartësinë e duhur dhe për t’u përballur me rreziqet që mund të vijnë nga fqinji i saj Serbia, që vitet e fundit ka investuar shumë në sektorin ushtarak, Kroacia ka vendosur që të blejë një seri avionësh luftarakë të përdorur nga Franca.
Kështu ka deklaruar këtë të premte kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, në një marrëveshje me një vlerë prej 1 miliard eurosh (1.2 miliardë dollarë).
Të dymbëdhjetë avionët luftarakë “Rafale” do të zëvendësojnë MIG-të e prodhimit ruse që shteti Kroat përdorte që nga koha e ish-Jugosllavisë. Kjo konsiderohet si blerja më e madhe në Forcat e Armatosura Kroate, që nga vitet 1990 kur Kroacia u shkëput nga ish-Jugosllavia.
Vendi anëtar i BE-se zgjodhi ofertën e Francës dhe jo të Izraelit, Suedisë apo Shteteve të Bashkuara. Gjashtë avionët e parë Kroacia do t’i marri deri në vitin 2024. Plenkoviç tha në një mbledhje kabineti se, oferta franceze për avionët luftarakë që do u kushtojë 999 milionë euro, ishte oferta më e mirë.
“Me këtë çmim të favorshëm, Kroacia do të marrë avionë të vlerësuar dhe të mirëpajisur”,- tha kryeministri. Kritikët nga ana tjetër thonë se, qeveria duhet të ndihmojë ekonominë e goditur nga pandemia, në vend që të shpenzojë miliona për avionë luftarakë.
Por Ministri i Mbrojtjes, Mario Banoziç, tha për median se, ky vendim nuk u bë për t’i dhënë ushtrisë “lodra të reja”.
“Këta avionë janë baza jonë e sigurisë”,- tha ai. Kroacia shpenzon pak më pak se 1 miliard dollarë çdo vit në mbrojtje, sipas shifrave të NATO-s. Plenkoviç tha se, blerja e avionëve do t’i çonte shpenzimet e mbrojtjes së Kroacisë përtej pragut prej 2%.
/Priza.al/