I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Ecobar, ka thënë se SHBA-të po kërkojnë nga Kosova përmbushjen e kërkesës për targa dhe formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se nuk ka ndihmuar fakti që serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës.
Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Prishtinës për zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia.
“Nga pala kosovare kemi kërkuar një periudhë zbatimi prej një viti në mënyrë që të përgatiten komunitetet për riregjistrim, po ashtu ftojmë (autoritetet) që të fillojnë të vendosin në agjendë komunitetin e komunave (me shumicë serbe). Ky është një kusht nga këndvështrimi ynë dhe nga perspektiva e partnerit tonë në Quinta. Ky është një kusht. Ne do të insistojmë në të”, tha Escobar.
Ai shtoi se SHBA-të mendojnë se protestat e komunitetit serb duhet të jenë paqësore dhe se largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm.
“Kjo është arsyeja pse unë u bëj thirrje të gjitha palëve që të jenë të gatshme për të zbatuar këto pika menjëherë”, tha Escobar.
Ai ka vlerësuar se kjo që po ndodh në veri të Kosovës nuk është pasojë e reagimit të Serbisë ndaj propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por asaj që po ndodh në terren.
“Është një tension që rritet për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së koordinimit dhe mungesës së vullnetit që njerëzit të marrin pjesë dhe të angazhohen plotësisht në dialog”, tha Escobar.