Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së ditës së nesërme në orën 16:00.
Më anë të një postimi në rrjete sociale, Paloka shkruan se shqiptarët duhet që të protestojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre përpara se të mendojnë largimin nga vendi.
“Dil nesër e protesto! Mjaft u ankove kafeneve! Mjaft “u revoltove” në fb! Protesto përpara se të mendosh të largohesh. Ky është vendi ynë dhe këtu do rrisim fëmijët tanë. Nuk ka nevojë të protestosh për politikanët. Protesto për vete e për fëmijët e tu!
Protesto për vjedhjen, dhunimin e poshtrimin që kjo qeveri të bën çdo ditë! Protesto kundër padrejtësive e arrogancës! Protesto kundër një qeverie e një kryeministri që jo vetëm të vjedh për luksin e tij personal, po pasi të vjedh e të dhunon edhe tallet e kërkon të të poshtrojë! Protesto përpara se të të vijne tek dera për të të shembur shtëpinë apo biznesin; përpara se të biesh viktimë e krimit apo e policisë së krimit; përpara se fëmijët e tu të mbetur pa shkollë e pa pune të marrin rrugët e emigrimit…
Protesto nëse nuk do që të trajtohesh si skllav nga qenie pa din e pa iman, pa fe e pa atdhe, bedelë të pafytyrë që qëndrojnë në krye të shtetit me votën që ta kanë vjedhur ose blerë për një copë bukë e tani kërkojnë të të marrin gjithçka të ka mbetur! Protesto nesër më 12 nëntor, ora 16.00
Protesto…”, shkruan Paloka.