Nga: Leonora Sula
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme më 11.11.2022 në Divjakë.
Kryetari i kësaj bashkie, Fredi Kokoneshi është plagosur me thikë nga ish-punonjësi i tij. Askush nuk është i gatshëm të justifikojë kanosjen e jetës ndaj kryebashkiakut por, çfarë e shtyu punonjësin e IT-së që të ndërmerrte këtë hap ekstrem mëngjesin e sotëm.
Lindin disa pytje mbi këtë ngjarje ku jeta e njeriut kërcënohet në mënyrë të hapur.
Fredi Kokoneshi ishte në orarin e punës dhe plagosja ishte për shkak të detyrës?
Apo heqja nga puna e Orges Xhelilit, tashmë autorit të plagosjes dhe transferimit të bashkëshortes së tij nga dora e kryebashkiakut ishte një hakmarrje dhe një gjakderdhje për faj të sistemit dhe njerëzit që punojnë në këtë?
Autori kishte 4 vite që punonte si punonjës i IT-së në bashkinë e Divjakës dhe menjëherë pas largimit të tij, ‘gishti’ drejtohet drejt bashkëshortes së tij. Duke u pasuar me largimin nga puna të gruas së tij, Besa Xhelili, e cila ishte drejtoreshë e Poliklinikës së Divjakës.
Pas një sherri verbal ngjarja agravon në konfrontime fizike, ku përveç krybashkiakut ka mbetur i plagosur rëndë edhe shoferi i tij Gazment Bullari i cili ka tentuar të mbronte Kokoneshin. Sakaq, Kokoneshi ka marë katër goditje me thikë në shpatull dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa shoferi i tij Bullari ndodhet në gjendje të rëndë pasi është plagosur 5 herë me thikë në bark.
Njoftimi i policisë:
Divjakë / Informacion paraprak
Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.
Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes. Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Prokuroria e Lushnjes teksa ishin në ambientet e spitalit.
“Sikurse e deklaroi edhe drejtori i qarkut janë organizuar grupet hetimor, janë kryer parimet hetimore dhe ngjarja është dinamike. Do ju njoftojmë në vijimësi për ngjarjen”, tha Prokurori.
Por, kjo nuk është hera e parë që kryetari i bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi është sulmuar fizikisht.
Më 11 korrik të këtij viti, Kokoneshi ka rënë pre e një sulmi në qendër të qytetit. Vetë kryebashkiaku ka denoncuar në komisariat një 32-vjeçar, të identifikuar si Dritan Sterkaj, nipi i deputetit të PS-së Paulin Sterkaj.
Fredi Kokoneshi, 54 vjeç, ka kallëzuar në polici duke thënë se është goditur me grushte dhe është ofenduar për shkak të detyrës nga 32-vjeçari.
“Divjakë/ Në datë 11.07.2022, në Komisariatin e Policisë Divjakë ka bërë kallëzim shtetasi F. K., 54 vjeç, banues në Divjakë, (Kryetar i Bashkisë Divjakë), se shtetasi D. S., 32 vjeç, banues në Divjakë, e ka goditur me grushte dhe e ka ofenduar për shkak të detyrës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë, referuan materialet në Prokurori për vlerësim”, thuhej në njoftimin e policisë.
Ndërkohë vetëm 3 ditë pas denoncimit të kryebashkiakut, mësohet se shkaku i dhunës janë bërë pagesat e taksave ndaj bashkisë, të një resorti ku administrator ishte Dritan Sterkaj.
Në korrik të po këtij viti, kryebashkiaku Kokoneshi është denoncuar nga Partia Demokratike si i dënuar për prostitucon në Itali.
“Kryetari i Bashkisë Divjakë dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore gjatë periudhës ku ka qëndruar në Itali. Nga të dhëna të bëra publike më parë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Fredi Kokoneshi, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik. Kryetari i Bashkisë Divjakë ka kryer trafik të qënieve njerëzore dhe veprimtari të paligjshme të lidhura me prostitucionin në Milano dhe për pasojë, ai ka qenë i arrestuar nga Policia Italiane dhe i dënuar me burg”, thuhej në kërkesën e demokratëve.
Kujtojmë se Fredi Kokoneshi u zgjodh për herë të tretë në krye të Bashkisë Divjakë, në vitin 2019, si përfaqësues i Partisë Socialiste në një garë ku kandidoi i vetëm pasi opozita nuk mori pjesë në zgjedhjet vendore./Priza.al