Institucionet mikrofinanciare që vitet e fundit janë bërë një biznes i përhapur në Shqipëri, edhe pse “de jure” janë të rregulluara me ligj, “de fakto” e kanë kthyer aktivitetin e tyre në shumë raste si të kompanive piramidale të vitit 1997.
Institucione jo banka si “Fondi Besa”, “NOA”, “Iute Credit”, apo edhe të tjera janë përfshirë në vitet e fundit nga skandale të shumta financiare, që për bazë kanë transaksione të dyshimta parash, pastrimin e tyre dhe manipulimin dhe mashtrimin e klientëve.
“Priza.al” mori mbi vete riskun dhe guximin që të bëjë publike këto skandale në mbrojtje të konsumatorit dhe qytetarëve të painformuar shqiptar, nga mashtruesit e mbrojtur nga ligji si “Fondi Besa”. Por institucionet jobanka gjatë kësaj kohe jo vetëm që nuk janë vënë nën kontrollin e institucioneve shtetërore ligj-zbatuese, por madje në shumë raste edhe favorizohen prej tyre.
Kur “Priza.al” nisi të publikoje me radhe skandalet e mashtrimit të “Fondit Besa”, në fund të muajit shkurt Banka e Shqipërisë u mblodh me urgjencë në një takim të rezervuar me drejtuesit dhe aksionerët e institucioneve jobankare.
Pas takimit i bërë publik edhe atëherë nga “Priza.al”, BSH-ja u zotua për një rishikim të rregullores dhe legjislacionit për IFJB-të (Institucionet Financiare Jo Banka), si dhe për vendosjen e një tavani për normat e interesit të mikrokredive që këto institucione u japin klientëve të tyre.
Kjo gjë sipas BSH-së, do të krijonte më shumë siguri dhe mbrojtje për konsumatorët, të cilët kanë rënë pre jo vetëm e mashtrimeve nga IFJB-të, por edhe janë shkundur nga normat tepër të larta të interesave.
Megjithatë, rregullorja që duhet të futej në zbatim vetëm pas pak muajsh, në fakt nuk ka plan që të zbatohet nga BSH-ja, e cila duket se është e gjitha nën ndikimin e pronarëve të këtyre institucioneve.
Kur pritet të aplikohet norma tavan e interesit
Aplikimi i një norme tavan interesi për kredinë konsumatore pritet të hyjë në fuqi vetëm vitin e ardhshëm, ndryshe nga sa u përfol fillimisht pas takimit që BSH-ja pati me krerët e IFJB-ve.
Në një shkrim të “Monitor.al” i cili i referohej për këtë çështje burimeve nga tregu i institucioneve financiare jo banka, thuhej se, “Banka Qendrore është shprehur e hapur t’iu japë kohë këtyre institucioneve për t’u përshtatur me regjimin e një norme interesi tavan në aktivitetin e tyre”.
Por ishte pikërisht fundi i muajit shkurt të këtij viti, kur BSH-ja propozoi disa ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekore”, pas një morie shkrimesh denoncuese nga “Priza.al”, mbi abuzimet e një prej IFJB-ve më të mëdha në vend, “Fondit Besa”.
Por “Priza.al” mësoi se Banka e Shqipërisë po i favorizon këto institucione, duke u shtyrë futjen në fuqi të rregullores që të paktën do të stabilizonte abuzimin në normat e larta të interesit, që IFJB-të i vendosin sipas qejfit madje edhe duke shkelur kontratat me klientët.
Siç raportonte në shkrimin e tij “Monitor.al”, institucionet financiare jo banka shprehën kundërshtime rreth propozimeve të Bankës së Shqipërisë. Sipas tyre, një rregullim i tillë mund t’i detyrojë të heqin dorë nga ofrimi i kredive të vogla.
“Sipas tyre, një mesatare e njëjtë për bankat dhe IFJB-të nuk do të ishte një masë e drejtë, sepse këto të fundit kanë një model biznesi të ndryshëm dhe kosto më të larta të sigurimit të fondeve dhe të rrezikut në raport me bankat.
Ata u shprehën kundër një interesi tavan që ndryshohet çdo tre muaj, çka sipas tyre do të vështirësonte procesin e ndërtimit dhe shitjes së produkteve dhe planet e tyre të biznesit.
Banka e Shqipërisë është shprehur e hapur për konsultime dhe për të marrë parasysh propozimet e palëve të interesit, që shkojnë në të njëjtin drejtim me objektivat e saj, duke lënë të kuptohet se, nuk do të ndërmarrë hapa të nxituara për miratimin e ndryshimeve në rregullore”,- thuhej në shkrimin e “Monitor.al” mbi këtë çështje.
Pse aplikohen normat “tavan”
Në Shqipëri edhe tregu bankar që pretendohet si “Funksional” dhe “i mirë kapitalizuar”, në fakt është një “rrumpallë financiare”, me gjithë ligjet e shumta të vendosura, standardet e dyfishta dhe moszbatimi.
Por përcaktimi i një norme interesi tavan në huadhënie, është praktikë e përhapur në shumë legjislacione, përfshi disa prej vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Europian.
Sipas një studimi të Bankës Botërore, të vitit 2018, të paktën 76 vende të botës aplikojnë norma interesi tavan për kreditë.
Arsyeja kryesore që motivon një praktikë të tillë është mbrojtja e interesit të konsumatorëve më të brishtë nga aplikimi i interesave abuzive prej huadhënësve.
Por në rastin e Shqipërisë, ku IFJB-të duket se e kanë “zgjidhur problemin” me BSH-në, pritet që rregullorja e ndryshuar të miratohet jo gjatë këtij viti, por me gjasë, të hyjnë në fuqi duke filluar nga viti 2022.
/Burimi: Monitor.al; BSH/Priza.al/