Elbasan/Sekuestrohen rreth 58 kg lëndë narkotike kanabis.
Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Bodin”, i zhvilluar me metoda hetimore proaktive.
Kultivonin bimë narkotike në tokën e tyre, në fshatin Bobin, dhe më pas i përpunonin ato, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (babë e bir).
Në pranga gjithashtu, administratori i Njësisë Administrative Gracen, si dhe kryeplaku i fshatit Bodin, në Njësinë Administrative Gracen, Elbasan.
Në kuadër të këtij operacioni, në hetim edhe 3 shtetas të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSH dhe ata të DVP Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore të realizuar me metoda proaktive, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin policor antikanabis të koduar “Bodin”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
– S. B., 62 vjeç, banues në fshatin Bodin, dhe Z. B., 27 vjeç, banues në Sarandë (babë e bir).
Nga kontrolli i ushtruar në tokën e këtyre shtetasve, në fshatin Bodin, Gracen, Elbasan, janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 bimë të prera, të dyshuara narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 7 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 58 kilogramë.
Njëkohësisht, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:
– F. S., 58 vjeç , banues në Elbasan, administratori i Njësisë Administrative Gracen, Elbasan;
– R. B., 62 vjeç, kryeplaku i fshatit Bodin, Gracen, Elbasan.
Po në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, si dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.