Takimin me të rinjtë e Njësisë 9 në Tiranë, në vijim të turit në çdo njësi, kryebashkiaku Erion Veliaj e shfrytëzoi për t’i ftuar ata të bëhen pjesë aktive, jo vetëm e politikës, por edhe e vendimmarrjeve të Bashkisë së Tiranës. Ai shoqërohej edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në cilësinë e deputetes së zonës.
“Për ne ka qenë kyç të fokusohemi te vendimet si aboneja falas për studentët, sepse unë besoj se ky është momenti për t’i dhënë një dorë kujtdo që ka nevojë. Kush ka nevojë? Pensionistët, ndaj kjo është arsyeja pse bëjmë indeksimin e pensioneve. Kush ka nevojë? Studentët, që janë ende ekonomikisht të varur nga familja. Unë besoj se duhet t’i adresojmë gjërat tani, jo nesër – pra, që tani ne kemi 30% çuna dhe goca të reja në Këshillin Bashkiak, me votë reale, që marrin vendime reale, nuk janë thjesht fasadë për takime – jo të shohim se çfarë do të bëjmë vitin tjetër, kur të kalojë buxheti. Në qoftë se do të bëjmë një sakrificë, ta bëjmë tani – pra, të mos asfaltojmë një rrugë, por këtë fond ta përdorim për të kompensuar abonetë e studentëve. Të njëjtën gjë edhe për subvencionimin e kostos së konvikteve. Prandaj, unë dua t’i bëj një pjesë të qenësishme të vendimmarrjes sonë të rinjtë”, tha ai.