Maminas/A ishte i rastësishëm zjarri në fabrikën e tullave? Flet djali i viktimës

Zjarri i cili përfshiu ditën e djeshme fabrikën e tullave në Maminas, rezultoi fatal për saldatorin 57-vjeçar Besnik Bojaku. Fatkeqësisht, si pasojë e shkallës së lartë të djegies ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në QSUT.  Nga informacionet policore mësohet se u arrestua përgjegjësi teknik i fabrikës me inicialet B.Z., 67 vjeç, banues në Tiranë.

Djali i viktimës ka dhënë sot një dëshmi të fortë gjatë një interviste në media, duke deklaruar se do kërkoj drejtësi për vdekjen e të atit.   Ai ka dhënë disa detaje të cilat hedhin dyshimin se zjarri nuk ka qenë i rastësishëm, pasi babai, një punonjës me 40 vite eksperiencë,  i ka treguar se dikush ka hapur gazin. Ai thekson se në fabrikë ishin 120 persona dhe askujt nuk i ndodhi asgjë, dhe për më tepër asnjë nuk u interesua për të ndjerin.

Shqetësimi im ishte se ditën e djeshme që nga momenti që u paraqit babai në spital dhe deri në mbrëmje nuk u paraqit asnjë për ta vizituar. Babai im ishte i djegur 100% nga koka deri te këmbët. Kam qenë gjithë kohës me të dhe më thoshte se dikush ka hapur gazin. Babai im kishte eksperiencë, nuk mund t’i ndodhte nga pakujdesia. Nga 120 punëtorë aty është e çuditshme që askush nuk e pa. Ato që di do i mbaj për vete do i nxjerr përpara drejtësisë nëse do të ketë drejtësi.

Normal që do hap proces gjyqësor, babi im vdiq në moshën 57-vjeçare, u dogj i gjallë, vdiq në punë. Personi i arrestuar ka qenë më i dobëti për mendimin tim. Më i dobëti ka për ta mbajt përgjegjësinë. Deri më dje ishte babai im më i dobëti, e mbajti ai përgjegjësinë se nuk fliste dot, se ishte i djegur plotësisht. Mjeku ka qenë njeri shumë i mirë, më ka ndihmuar shumë. Ka qenë një çun i ri dhe atij ja di për faleminderit. Më tha që në fillim që babi është 98% i djegur”, tha djali.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *