Një histori e trishtë është shpalosur në TV Klan, ku Bleona 23-vjeç ka treguar se motrës së saj iu dogj djali dy vjeç me qumësht.
Sipas saj, përveç dhimbjes që nëna ndjen në këto raste, ankthit dhe mërzisë nëse fëmija i saj do jetojë apo jo, motrës së Bleonës i është dashur që të përballet edhe me fjalët e njerëzve.
Ajo tha se njerëzit e bezdisin shpesh të motrën duke i bërë pyetje të shumta për të shuar kuriozitetin e tyre.
Bleona: Në datën 17 Prill të këtij viti motrës iu dogj djali, sepse ajo është e martuar dhe ka një djalë 2 vjeç. Iu dogj djali me qumësht. U nis nga fshati, e çuan në spitalin e Elbasanit. Aty thjesht i bënë disa mjekime të shpejta, por e nisën për Tiranë, e shtruan dhe për 28 ditë nuk i dhanë shpresa për të jetuar sepse djegia ishte në fazën e tretë. Motrës nuk ia thanë, me ndihmën e Zotit dhe me ndihmën e doktorëve djali ia hodhi, shpëtoi. Në ditën e 24 shkon një mjek, e shikon djalin dhe motra del nga mbrapa dhe e pyet, i thotë si është? Ndërkohë që ai i thotë që nuk shpëton djali dhe që nga ai moment, motrës herë pas here i bie të fiktë.
Ardit Gjebrea: Si është djali?
Bleona: Tani është më mirë, vetëm tek njëra këmbë ka problem, nuk e përthyen dot këmbën, vizitat vazhdojnë.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë opinioni filloi, e pakujdesshmja, se kishte mendjen, iu dogj djali.
Bleona: Në momentin që ishte në spital, e merrnin në telefon e pyesnin si është, pastaj kur i përgjigjej motra që i thoshte mirë ose do bëhet mirë, përpara se të mbyllnin telefonin i thoshin po si ishte puna? Donin njerëzit që të shuanin kuriozitetin e vetë, donin të dinin çdo gjë me detaje. A ishte ai momenti i duhur për të ditur? Po edhe më vonë, edhe tani që kanë kaluar disa muaj. Për çfarë arsye duhet t’ja hapësh të njëjtën plagë? Për çfarë arsye duhet ta kujtosh se si ishte momenti, ku ishe ti, çfarë bëre ti?
Ardit Gjebrea: Motra si e përjeton këtë histori?
Bleona: Shumë keq. Tani ajo është edhe shtatzënë, pret edhe një vajzë dhe nuk po e përjeton si me djalin e parë, nuk po e shijon shtatzëninë. Sepse mërzitet shumë nga llafet e njerëzve, akoma nuk ndalojnë.
Ardit Gjebrea: Çfarë thonë?
Bleona: Në momentin që morën vesh që është shtatzënë, filluan? Përsëri je shtatzënë ti? Po si do i mbash ti dy fëmijë, të prisje dhe pak kohë që djali të rritej edhe pak, të bëhej më mirë, je shumë e vogël për të patur dy fëmijë. A do ja dalësh mbanë?
Ardit Gjebrea: Po ç’ju duhet atyre?
Bleona: Fjalët e njerëzve gjithmonë nuk ndalojnë.
Ardit Gjebrea: Ishin të njëjtit njerëz që të thoshin ty atëherë që ajo nuk ka vrarë gjurin, po do burrin.
Bleona: Po.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë që sot si ka mundësi që ajo është shtatzënë e duhet të kujdeset për djalin etj etj. Po nuk u lodhën?
Bleona: Vazhdojnë.
Ardit Gjebrea: Po pse duhet t’i dëgjoni ju?
Bleona: Këtë dua t’ja them motrës. Dikur i dëgjoja unë dhe bëhesha keq, ndërsa sot po e përjeton ajo shumë keq, qan, është e lodhur. Një herë nga djali sepse ai qan gjithë kohës, nuk është mirë, një herë nga shtatzënia dhe njerëzit që nuk e lënë rehat./tvklan.al