Policia turke njoftoi të hënën (14 nëntor) se kishte arrestuar të dyshuarin kryesor në shpërthimin që vrau gjashtë vetë në qendër të Stambollit, duke shtuar se ajo punonte për militantët kurdë.
Gruaja thuhet se pranoi se kishte marrë urdhra nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Ankaraja dhe aleatët e saj perëndimorë e konsiderojnë një grup terrorist.
“Personi që vendosi bombën është arrestuar”, tha ministri i Brendshëm Suleiman Soylu në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve Anadolu herët të hënën.
Në shpërthimin e së dielës, në rrugën shumë të njohur Istiklal, mbetën të vrarë gjashtë persona, mes tyre fëmijë dhe 81 të plagosur.
Më herët, policia në Stamboll njoftoi se kishte arrestuar 46 të dyshuar, duke përfshirë edhe personin e dyshuar për vendosjen e bombës.
Transmetuesi shtetëror TRT publikoi një video të policisë duke shoqëruar të dyshuarin kryesor nga banesa pas bastisjes së natës.
Akuza kundër organizatave kurde. Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu tha se PKK dhe milicia kurde siriane YPG, për të cilën Ankaraja thotë se është një krah i PKK, ishin përgjegjës për sulmin e së dielës në Avenue Istiklal.
Soylu tha se urdhri u dha në Kobani dhe bombarduesi kaloi nëpër Afrin – të dy qytetet në Sirinë veriore ku forcat turke kanë kryer operacione kundër YPG në vitet e fundit.
Në videon e TRT shfaqet një grua me flokë kaçurrela dhe e veshur me një pulovër ngjyrë vjollce me shkrimin “New York”. Policia kontrolloi banesën me ndihmën e një qeni dhe gjeti ar, para dhe municione, raporton agjencia Reuters detaje të publikuara nga televizioni shtetëror turk.
Gjashtë shtetas turq, dy anëtarë nga tre familje secili, u vranë në sulm. Asnjë grup nuk ka marrë ende përgjegjësinë.