Deputeti Luçiano Boçi ka komentuar kandidimin në Elbasan për kryebashkiak, ku duhet të lërë mandatin e deputetit për të garuar përballë kandidatit të PS në këtë qytet të rëndësishëm.
I pozicionuar me “Rithemelimin”, Boçi mban postin e nënkryetarit të partisë, kryetarit të Grupit Parlamentar dhe deputetet.
Deputeti tha se politika është sfidë dhe kjo është një ndër arsyet që po i futet kësaj “beteje” për zgjedhjet e 14 majit.
“Është sfidë, pasi politika është sfidë në vetvete. Është pjesë e kërkesës së votuesve të qarkut të Elbasanit dhe kërkesë e anëtarëve të PD që unë t’i bashkohem kësaj sfide. Politika është ngjitje e shkallëve të shërbimit të qytetarit dhe nuk është thjesht marrje e posteve.
Më çfarë sigurie dilni para qytetarëve të Elbasanit për të marrë bashkinë? Mbështetësi dhe përkrahësi është qytetari dhe votuesi. Suksesi konkretizohet kur t’i i shërben edhe votuesit edhe qytetarit. Të qenit në opozitë nuk të bën ty kaq të afërt dhe aq efikas në atë që kërkon qytetari. Unë nuk e barazoj suksesin me të qenit në krye të Grupit Parlamentar apo deputet. Politika ka shumë korridore.
Nga ana tjetër, Boçi tha se alarmuese është gjendja e qytetarit sot dhe sidomos ajo e qytetarëve të Elbasanit. Politika është mekanizëm për të zgjidhur këtë çështje dhe më mirë se sa një politikan nuk mund ta bëjë askush tjetër në gjykimin e tij. Boçi shtoi se sakrificën e parë e bën qytetari që jep votëbesimin për një kandidat të caktuar.
Ne në politikë luajmë me besimin dhe besimi fitohet me gatishmërinë për të qenë afër qytetarit, për të bërë politika për të përmirësuar jetën e tij. Unë këtë besim e kam të shprehur përmes votës duke qenë se kam kaluar herësin në zgjedhjet e 25 prillit. Ky besim është ruajtur në komunikimet e mia të përhershme. Politika nuk është gjë tjetër veçse komunikim. Nuk mund të them që kjo na çon domosdoshmërisht në fitore, por është një nga rrugët.
Deputeti demokrat theksoi se Elbasani është një nga bashkitë kryesore të vendit dhe beteja është e ashpër, por kabesim te reagimi i qytetarëve”, tha Boçi në Abcnews.al