Me të nisur emisionin e saj “Zemër Luana” në televizionin Klan, Alketa Vejsiu “i hapi” luftë moderatores Luana Vjollca. Një deklaratë e saj gjatë emisionit “Dance Albania”, u komentua gjatë si një kunjë direkt për kolegen e saj. Gjithçka nisi nga një batutë e Ermal Mamaqit, i cili me humor u shpreh se në studio duhet të mbahej qetësi sepse nga ana tjetër ishte Luana.
Në këtë moment ndërhyn Alketa duke thënë se:
“Jemi kthyer këtu në televizionin Klan në një kopsht të vërtetë zoologjik, kemi tigra, gjirafa, mjellma”.
Mirëpo nuk mbaron këtu. Vejsiu në një tjetër moment preku edhe çështjen e klikimeve, ku Luana që me puntatën e parë duket se i rrëmbeu vëmendjen të gjithëve në Klan, pasi emisioni i saj arriti 1 milion shikime në pak ditë.
“Ne kemi 25 vjet që punojmë e s’po marrim 1 milion”, tha Alketa.
Këto deklarata kanë qenë tema kryesore e mediave rozë javën e fundit. Së fundmi, Alketa shfrytëzoi emisionin e saj për të sqaruar në një farë mënyre deklaratat e saj.
Teksa po bisedonte me Visjanin në skenë, për imitimin e saj tek show i humorit “Klanifornia”, Alketa u shpreh se duhej të merrte pjesë patjetër në një nga skeçet e tij. Aktori e shfrytëzoi këtë moment duke e pyetur moderatoren nëse do të shkonte edhe tek Luana.
Biseda:
Visjani: Edhe tek Luana do të shkosh?
Alketa: Po patjetër. Dëgjo, unë luaj në një formacion të madh që quhet televisioni Klan dhe jam pjesë e një skuadre të madhe dhe gjithmonë më bëhet zemra mal për arritjet e të gjithë kolegeve dhe produksionet që bëhen këtu. Kështu që Alketa mendon ndryshe. Unë jam e hapur që t’i bëj vizitë të gjithëve.