Artistja e njohur shqiptare me famë botërore Dua Lipa, do të vijë në Shqipëri më shpejt nga sa e prisnim. Vetë ajo ka lajmëruar përmes një videoje në profilin e saj në ‘Instagram’ se do të performojë në Tiranë në kuadër të turneut të saj botëror “Future Nostalgia”.
Lipa shprehet gjatë videos se ka zgjedhur ta përmbyllë turneun e saj në Shqipëri, pikërisht në datën 28 nëntor. Kujtojmë se Dua Lipa nuk performoi në festivalin “Sunny Hill” që u mbajt gjatë verës në Tiranë.
Pak kohë më parë është krijuar një gjendje kaosi në një nga koncertet e fundit të Dua Lipës në Sydney, Australi. Shkak për këtë u bë një problem me aplikacionin ku rezervoheshin biletat që la qindra fansa jashtë mbrëmjes.
Turma fansash u panë të rreshtuar jashtë ‘Qudos Bank Arena’ në Parkun Olimpik të Sidney-t pasi aplikacioni “Ticketek” ndaloi së funksionuari, duke i bërë fansat të mos vërtetonin dot se kishin një biletë. Ata u detyruan të hapin email-et e tyre për konfirmime, teksa sigurimi kontrollonte manualisht secilin.
Dua Lipa e nisi përfundimisht shfaqjen e saj pas orës 21:00 dhe u kërkoi falje fansave të cilët ishin mbajtur në pritje. Ylli shqiptar me famë botërore deri tani ka mbajtur dy koncerte në Sydney dhe një në Brisbane si pjesë e turneut të saj “Future Nostalgia”.
Axhenda e koncerteve të fitueses së Grammy-t vazhdon me dy shfaqje në Melburn përpara se të performojë në Adelaide dhe Perth.