Dy të rinj të moshës 25 dhe 28-vjeçare kanë përfunduar në prangat e Policisë, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur pajisje të ndryshme, në një biznes (servis automjetesh). Po ashtu dy të ndaluarit, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve të tjera të bizneseve në qytetin bregdetar.
Po ashtu u proceduan penalisht edhe tre persona të tjerë, pasi dyshohet se janë bashkëpunëtorë të dy të rinjve.
Njoftimi i policisë:
✅ Zbardhen dhe dokumentohet ligjërisht, 4 vjedhje në banesa dhe biznese të ndryshme. Identifikohen dhe vihen në pranga 2 bashkëpunëtorët.
✅ Parandalohen një sërë vjedhjesh të tjera. Evidentohen në kohë dhe procedohen penalisht 3 shtetas të tjerë, të cilët kishin siguruar maska, doreza, një levë dhe sende të tjera të forta, me qëllim kryerjen e vjedhjeve.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës hetimore dhe policore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe nxjerren e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Pajisjet”.
Si rezultat, u arrestuan për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, shtetasit E. R., 28 vjeç dhe D. A., 25 vjeç, banues në lagjen nr.16, Durrës, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur pajisje të ndryshme, në një biznes (servis automjetesh). Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Pajisjet”, ka rezultuar se këta shtetas janë autorë dhe të 3 vjedhjeve të të tjera, konkretisht:
- Më datë 10.10.2022, kanë vjedhur në banesën e një shtetaseje, në fshatin Arapaj, Durrës;
- Më datë 12.10.2022, kanë vjedhur në banesën e një shtetasi, në fshatin Qerret, Durrës;
- Më datë 14.10.2022, kanë vjedhur në banesën e një shtetaseje, në lagjen nr.17, Durrës.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
-Në vijim të veprimeve në kuadër të këtij operacioni, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit D. A., 28 vjeç, banues në Vorë, E. Ç., 19 vjeç, banues në Durrës dhe për një 17-vjeçar, banues në Shijak.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, maska, doreza, 1 levë hekuri, dhe sende të tjera të forta, të cilat dyshohet se ishin siguruar nga të proceduarit, me qëllim kryerjen e vjedhjeve të ndryshme. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, 17-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.