“Dëmi është 6 miliardë euro”/ Berisha bën deklaratën e fortë: Tashmë transporti do të bëhet nga Mali i Zi dhe Greqia

Kreu i PD Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë për ndërtimin e Portit të Durrësit, ku tha se me shkatërrimin re tij,  transporti tani do të bëhet nga Mali i Zi dhe Greqia.

Gjithashtu ai theksoi se Porti i Durrësit është pasuri publike dhe PD do të bëjë betejën më të fuqishme ligjore dhe me protesta për ti dalë zot vendit.

“T’i shkatërrosh vendit portin shekullor, do të thotë të gjobisësh vetëm me transport, qindra e miliona, në mos miliarda euro në vite. Vetëm me transport, i cili do bëhet nga Mali i Zi, portet e Greqisë, dhe pjesërisht nga Vlora. Edhe ajo jo, se ajo është pa port. Të shkulësh portin shekullor, për të cilin është projekti, investimi dhe çdo gjë, dhe të gjobisësh qytetarët shqiptarë me të paktën 2 miliardë euro që kërkon ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, sipas specialistëve, dhe që duhet të ndërtohet sipas pronarit të Dubai City në Durrës, duhet të ndërtohet në Porto Romano, sepse ai kërkon që gjithë gjirin e portit ta shndërrojë për jahtin e tij, jahtin e Çuçit të familjes së tij, jahtet e familjarëve.

Kjo është e faktuar, cilido i them të referohet se çfarë pësoi porti i Bejrutit. E njëjta skemë. Një mori pallatesh dhe porti para për jahtet e pasanikëve të Bejrutit. Shqipëria nuk ka asnjë pasuri publike të çmuar sa porti i Durrësit. Asnjë! Porti i Durrësit është pasuria publike numër një e kombit shqiptar. Kaskadën po e nxore në treg nuk ka vlerë në treg as sa gjysma e portit të Durrësit. Aeroportin po e nxore në treg, nuk ka vlerë as sa një e treta e portit të Durrësit. Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike, në këtë port janë investuar qindra e qindra milionë euro, dollarë. Vetëm së fundmi, janë investuar mbi 70 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve dhe nga Banka Europiane e Zhvillimit. Janë blerë makineri dhe vinça më ultramodernë, për të kryer, për të përmbushur detyrimet dhe funksionuar me kapacitet të plotë. Dhe, Edi Rama me zonjën Balluku, të verbuar nga babëzia për ta përvetësuar këtë pasuri të madhe, shpallin përvetësimin e saj. A ka goditje më të rëndë për këtë vend se kjo? Kur me një marrëveshje, ti dëmton të paktën 6 miliardë euro, duke llogaritur ndërtimin e portit të ri, rritjen e kostove të transportit, tani që nuk do funksionojë porti i ri. Kjo është një gjë që shqiptarët nuk mund ta pranojnë kurrë, ndaj dhe ne do bëjmë betejën më të fuqishme ligjore, por do jetë një betejë me protesta, që nuk mund të kenë të ndalur. Duhet t’i dalim zot në emër të çdo shqiptari që e do këtë vend, që vendos të jetojë në këtë vend, që po vuan dhe mezi e përballon jetën, por edhe në emër të atyre që po ikin për këto arsye”, tha Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *