Bakteret e lebrës mund të jenë sekreti për riparimin dhe rigjenerimin në mënyrë të sigurt të organizmit, thonë shkencëtarët e Universitetit të Edinburgut.
Eksperimentet me kafshët kanë zbuluar aftësinë mbresëlënëse të bakterit që thuajse të dyfishojë madhësinë e mëlçisë duke stimuluar rritjen e shëndetshme. Është një veprim disi egoist që i lejon të infektojë më shumë inde.
Por të gjeturit se si bakteri e bën këtë mund të jetë rruga drejt zhvillimit të terapive që kundërshtojnë vitet e jetës.
Lebra është një sëmundje e lashtë që prek nervat, lëkurën dhe sytë. Në histori, ata që infektoheshin prej saj, shmangeshin nga të tjerët. Por bakteri që e shkakton Mycobacterium leprae, ka aftësi të pazakonta, përfshirë edhe “alkiminë biologjike”, shndërrimi i një indi të trupit në një tjetër, diçka që ka mahnitur shkencëtarët.
Ndaj, ata nisën të studionin të vetmet kafshë që sëmuren prej saj: armadillot. Infeksioni i drejtohet mëlçisë së tyre dhe ‘riprogramon’ organin për qëllimet e veta. Mëlçia u zmadhua thuajse sa dyfishi i saj dhe ndonëse pritej që kjo të ishte kancerogjene apo difektoze, pas analizave të detajuara, rezultoi se organi ishte i shëndetshëm, funksional dhe me të gjitha enët e gjakut apo ‘xhepat’ e saj.
Bakteri ka aftësinë të kthejë mbrapsht orën biologjike të mëlçisë. Qelizat e rritura të mëlçisë janë fabrika metabolike me qindra funksione në organizëm. Bakteri i lebrës e kthen fazën e tyre të zhvillimit pas, njësoj si të ishin ‘adoleshente’ përpara se të kalojnë në të rritura.
Detajet e hollësishme nuk janë ende të qarta, ndërsa gjithnjë ekziston risku që qelizat duke kaluar në këtë proces të kthehen në kancerogjene. Rezultatet premtuese janë një shpresë për rigjenerimin e mëlçisë për pacientët në pritje të transplantit, ndërsa i ka hapur rrugë zhvillimit të mjekimeve dhe terapive të reja.