Gjermania ka bërë të ditur të mërkurën se do t’i ofrojë mbështetje Polonisë për ta ndihmuar në patrullimin e hapësirës ajrore polake pas incidentet të së martës.
“Si një reagim i menjëhershëm ndaj incidentit në Poloni, ne do të ofrojmë forcimin e policisë ajrore me patrulla ajrore luftarake mbi hapësirën e saj ajrore me Eurofighters gjermanë”, tha në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, Christian Thiels.
“Misioni mund të fillojë që nesër, nëse Polonia dëshiron,” shtoi ai.
“Avionët nuk kanë nevojë të zhvendosen në Poloni. Patrullat mund të ngrihen nga bazat ajrore gjermane dhe të kthehen këtu pas çdo misioni,” tha Thiels.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht po planifikon të flasë me homologun e saj polak për këtë çështje të mërkurën, shtoi ai.
Zëvendës zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Buechner, tha në të njëjtën konferencë për shtyp se kancelari Olaf Scholz ka folur në telefon me presidentin polak Andrzej Duda dhe ka ofruar mbështetjen e Berlinit.